Gëzim Mekuli, Oslo

Kompania norvegjeze “Haltbakk Bunkers” ka ndalur plotësisht shitjen e karburantit për forcat amerikane dhe anijet e tyre, në shenjë proteste kundër sjelljes së Donald Trump, shkruan gazeta “Kystens Næringsliv”.

– “Asnjë pikë karburanti për amerikanët!” – thuhet në faqen zyrtare të kompanisë në Facebook.

Kjo kompani e industrisë së naftës dhe transportit detar furnizon me karburant përgjatë gjithë bregdetit norvegjez.

– “Ne jemi një kompani private dhe i zgjedhim vetë klientët tanë,” – deklaroi drejtori ekzekutiv i Haltbakk Bunkers, Gunnar Gran, për “Kystens Næringsliv, shkruan MekuliPress, duke cituar gazeten norvegjeze Aftenposten.

Ndalimi i shitjes së karburantit përfshin të gjitha anijet amerikane që ankorohen në portet norvegjeze. Kompania gjithashtu ka bërë një thirrje publike:

– “Ftojmë të gjithë norvegjezët dhe evropianët të ndjekin shembullin tonë. Slava Ukraini!” – thuhet në deklaratë.

Kjo kompani kishte ndaluar më herët edhe furnizimin e anijeve ruse që nga pushtimi i Ukrainës tre vjet më parë.

– “Kjo i dha shumë përfitime konkurrentëve tanë, ndërsa ne humbëm të ardhura të mëdha. Por kemi një busull morale. Tani, edhe SHBA-ja është e përjashtuar për shkak të sjelljes së tyre ndaj Ukrainës,” – shtoi Gran.

Ai pranoi se kjo “bojkot nuk do të ndikojë ndjeshëm” në fuqinë e SHBA-së, por e sheh si një akt të domosdoshëm për të treguar solidaritet me Ukrainën.

Komenti nga MekuliPress: Kur Norvegjia i vendos embargo Amerikës, ndërsa shqiptarët financojnë Serbinë

Lajmi që një kompani norvegjeze ka ndaluar shitjen e karburantit për forcat amerikane për shkak të “sjelljeve të turpshme të Trump-it ndaj Ukrainës” është një mesazh i qartë: “Morali vlen më shumë se përfitimi ekonomik.”

Norvegjezët, një komb me ekonomi të fuqishme dhe një vend kyç i NATO-s, nuk e kanë problem të ndërmarrin “veprime të forta politike dhe ekonomike” për të treguar qëndrimin e tyre moral. Ata kanë sakrifikuar të ardhura të mëdha për të mbështetur Ukrainën dhe për të ndëshkuar shtetet që veprojnë në mënyrë agresive.

𝐏𝐨 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫𝐞̈𝐭, 𝐤𝐮 𝐣𝐚𝐧𝐞̈ 𝐞 𝐬𝐢 𝐩𝐨 𝐯𝐞𝐩𝐫𝐨𝐣𝐧𝐞̈?

Ndërkohë, në Shqipëri dhe Kosovë, nuk ka asnjë embargo ndaj Serbisë, edhe pse Beogradi jo vetëm që e shkatërroi Kosovën, por edhe vazhdon me retorikën dhe përgatitjet për një agresion të ri.

Për më keq, shqiptarët jo vetëm që nuk i vendosin embargo Serbisë, por e mbushin Serbinë me para. Udhëtimet e shqiptarëve transit përmes Serbisë janë kthyer në një biznes të majmë për Beogradin, duke fuqizuar ekonominë serbe në mënyrë direkte. Çdo shqiptar që udhëton nëpër Serbi, çdo litër karburanti që derdhet atje, çdo taksë dhe çdo kafe që blihet në stacionet serbe, shkon për të financuar armatimin serb – të njëjtin armatim që nesër mund të përdoret kundër shqiptarëve të Kosovës.

Kjo hipokrizi është e pafalshme. Në vend që shqiptarët të kishin marrë një qëndrim të qartë kundër Serbisë, ata bëjnë lutje dhe kërkesa për “transit të lirë”, sikur të mos kishin rrugë të tjera për të lëvizur. Ndërkohë që “Norvegjia sfidon Amerikën”, shqiptarët vazhdojnë të mbështesin ekonomikisht Serbinë, një vend që ende nuk njeh Kosovën dhe po përgatitet për konflikte të reja.

A nuk është koha që të ndalemi dhe të pyesim veten: 𝐊𝐮𝐬𝐡 𝐤𝐚 𝐦𝐞̈ 𝐬𝐡𝐮𝐦𝐞̈ 𝐝𝐢𝐧𝐣𝐢𝐭𝐞𝐭? 𝐍𝐨𝐫𝐯𝐞𝐠𝐣𝐞𝐳𝐞̈𝐭, 𝐚𝐩𝐨 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫𝐞̈𝐭 𝐪𝐞̈ 𝐯𝐚𝐳𝐡𝐝𝐨𝐣𝐧𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐟𝐢𝐧𝐚𝐧𝐜𝐨𝐣𝐧𝐞̈ 𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐧𝐞̈?

By