Çun Lajçi

Kur kishte gazeta ditore e kur shkretnonte gazetari, e kishe nji adresë, nji zyre e nji kryeredaktor. I trokisje n’derë zotnisë dhe me artikullin e gazetës nën sqetull futeshe n’zyrë e ankoheshe! Dhe merreshin masa për shkrimet skandaloze e propaganduese!
Kur ato u shuen, lulëzuen portalet me emna t’rremë e pa adresë dhe të gjitha thashnajat e çarrshisë i botojnë tue u vu tituj skandakoz! E çarrshia si çarrshia; – u mbush me qen endacakë. N’trotuar dhjenë njeni nga ta, e portalet e famshme shkruejnë për nji mullar m*ti e për nji erë kutërbimi e thërrasin;

– Ikni, këtu vjen erë rusi e serbi. Merreni biletën pa kthim! Këtu s’jetohet!
– Ikni! Merreni rrugën e gyrbetit! Mos u ktheni ma! N’Kosovë jetojnë veç bagëluesit!
Keni luftua kot për liri, se lirinë ua kanë vjedhë mashtruesit, hajnat e fajdexhijtë.
– Ikni nëpër Serbi. Ajo nuk iu nguc. Ajo u dëshiron rrugë të mbarë e pa kthim!
– Me avionin e parë nisuni! Shitni dhen e dhi, siç thuehet, e ikni prej këtij vendi të mallkuem se nuk jetohet me harçxhijë, me ryshfetxhijë e vrasës!

Hej! Kështu ishte edhe dikur kur Serbia i mbushte trenat e vaporret me kosovarë e nisëshin për Anadoll!
– E lashë përgjithmonë! Thoshin edhe atëherë si sot!
Vend i nemun thoshin. Vend i shkjaut. S’jetohet me kryqalitë! Dhe turru me shitë tokën dhe turru me i shitë lopët delet e dhitë e me marrë rrugë pa kthim.
– Kot luftova! – flasin të dëshpëruemit, e portalet e bajnë lajm. Madje i venë titull për klikime; – filan luftëtari i tri luftrave, iku n’Evropë. E mallkoi vendin për t’cilin derdhi gjak, sepse nuk mujti me gjetë nji vend pune për dy dekada!
– Edhe filan artisti iku! I pshurri rolet e veta e shkoi me i pëshurrë rrugët e Evropës!
– Kosova asht vend i shkretë ku jetojnë veç pushtetarët e korruptuem. T’pasunit me haraçe e vjedhje, – kinse paska thanë filan ushtari!
Iku trimi për gyrbet; – e qëndisin shkrimin portalet, gati si n’kangën e Vllasaliut! Madje e përcjellin n’aeroport tue filmua me dy kamera!

Nuk mendojnë mjeranët se kështu flet anmiku i tyne, Serbia që ia ka vu synin Trepçës e Ujmanit! Kjo kangë e këto shkrime i duhen asaj! I duhen edhe analistët alla Vebi Kajtazi me shokë që të zbrazët Kosova e n’shtator kur të bahet rregjistrimi i popullatës, të barazohemi me Cetinën e Shkupin!
Bajnë spektakle deshtake portalet për do centa (mbase edhe dinar Serbie), e nuk mendojnë se me veprimet e tyne i vrasin mia e mia djem e vasha që jetojnë me shpresën se nesër do të bahet ma mirë. Me shpresën se gjaku që u derdh do t’lulëzoi nji ditë e Kosova do t’jetë vend ku do ti realizojnë andrrat e tyne!
Nuk mendojnë portalet e gazetarët e shitun se me shkrimet e tilla e me analizat qorre i bajnë shërbim Serbisë e dam Kosovës me propagandën e sllavit!
Krejt kësaj tymnaje, flakën ia qesin do pseudodeputet që jetojnë si milioner e që deri dje s’kishin brekë me veshë!