Sead Zimeri

Kjo është pyetja më e rëndësishme që zbulon pavetëdijen tonë primitive, mitologjike dhe raciste. Nuk ka pyetje tjetër më të rëndësishme për të kuptuar kush jemi ne si popull se sa studimi i kësaj pyetjeje, sepse aty bashkohen të gjitha marrëzitë dhe keqkuptimet tona si popull.
Pse është kështu, mund të pyesni. Sepse pyetja zbulon më bukur se çdo gjë tjetër se ne ende nuk i kemi zotëruar format moderne të mendimit. Ne flasim për lidhje gjaku dhe konsiderojmë se shqiptarët katolikë apo myslimanë janë vëllezërit tanë (por rrallë dëgjojmë për motrat tona).
Por shoqëritë nuk janë lidhje gjaku, por përbëhen nga forma të ndryshme bashkëpunimi për të arritur qëllime të caktuara. Ne ekzistojmë si shoqëri sepse vetëm kështu mund të mbijetojmë, por edhe të lulëzojmë dhe të përparojmë. Kërkohet kontributi i të gjithë anëtarëve të shoqërisë që shoqëria të mbijetojë.
Ndjenjat e dashurisë lindin në grup, me njerëz me të cilët punojmë, ndërveprojmë ose i njohim mirë. Prandaj është krejtësisht e natyrshme që një shqiptar katolik të dojë një shqiptar mysliman më shumë se një katolik irlandez me të cilin nuk ndan asgjë tjetër veç besimit. E njëjta gjë vlen edhe për shqiptarin mysliman. Ai do të krijojë miqësi dhe lidhje dashurie dhe familjare me shqiptarin katolik se sa me atë somalez, sepse ai është këtu jo atje në Somali. Me shqiptarin katolik bashkëpunon, jeton bashkë, ndan atdheun, bukën, gjuhën, traditën. Pra, është krejtësisht e natyrshme që ai të krijojë lidhje më të forta me të sesa me një arab apo irlandez.
Nga ky fakt del qartë se pyetja është jo vetëm e pakuptimtë por edhe idiotike, e cila buron nga njerëz që kanë shkëputur çdo lidhje me arsyen e tyre. Do të ishte një fenomen i çuditshëm nëse shqiptari katolik do donte një katolik irlandez më shumë se një shqiptar mysliman, ose nëse shqiptari mysliman do donte një arab mysliman më shumë se një shqiptar katolik.
Dashuria krijohet në marrëdhëniet personale, jo në besimin në dogmë. Ata që pretendojnë të kundërtën janë ose fanatikë të pandreqshëm ose injorantë që nuk e kuptojnë dashurinë apo lidhjet që krijohen në komunitet. Pra, ata që thonë se mund ta duash një katolik irlandez pa e takuar më parë ose një mysliman arab pa e takuar ndonjëherë, ata ose janë delirantë ose ideologjia perverse ua ka shtrembëruar kuptimin aq shumë sa nuk mund të konsiderohen më të besueshëm si mendimtarë.
Por ka një aspekt tjetër shumë të rëndësishëm në këtë kontekst. Kjo pyetje mbulon aq sa zbulon. Ajo mbulon disa forma të ekzistencës njerëzore që kanë përparësi ndaj çdo forme tjetër të marrëdhënieve njerëzore, qofshin ato të gjakut apo dashurisë. Këto janë lidhjet morale. Zakonisht flasim për katolikët dhe për myslimanët shqiptarë. Por ku janë të shqiptarët ortodoksë? Ku janë shqiptarët ateistë dhe agnostikë? Ku janë shqiptarët gay? Ku janë shqiptarët që kanë nëna greke dhe serbe?
Për më tepër, kur pyetja bëhet në këtë formë, nuk ka vend për të bërë pyetje morale, sepse ato janë a priori të përjashtuara. Nga pikëpamja morale nuk ka rëndësi gjaku, farefisnia, familja, por cilësia morale e marrëdhënies që shprehet në vepër. Morali nuk merret me dashurinë, kë duam apo kë nuk duam, pavarësisht se dashuria ka vlerë morale. Nga pikëpamja morale, e rëndësishme është që ne si pjesë e shoqërisë kemi detyra dhe detyrime ndaj anëtarëve të tjerë të shoqërisë, detyra shoqëruese, të cilat nuk i kemi ndaj të tjerëve. Shoqëria dhe kohezioni social bazohen në detyrimet dhe të drejtat që shoqëria u cakton anëtarëve të saj, jo në lidhje dashurie apo farefisnore.
Por ndoshta pyetja më e rëndësishme këtu është, pse duhet ta duam shqiptarin mysliman apo katolik? A bën të mos i duam?
Përderisa dashuria ndërtohet në marëdhenie dhe lidhje me tjetrin, të cilin mund ta duam, por edhe ta urrejmë, nuk ka arsye për të promovuar një diskurs të pakuptimtë se duhet ta duam shqiptarin mysliman apo atë katolik. Ne duhet të respektojmë çdo shqiptar si qenie njerëzore dhe të respektojmë vlerat dhe detyrat tona ndaj njëri-tjetrit pavarësisht lidhjeve të dashurisë.
Unë i dua miqtë e mi shqiptarë katolikë më shumë se myslimanët apo katolikë të tjerë shqiptarë që nuk i njoh fare dhe që si njerëz mund të jenë të mirë apo të këqij, dhe që ndoshta nëse do t’i njihja do t’i doja apo do t’i urreja. Por nuk ka obligim të duam shqiptarët se i kemi të gjakut, apo t’i duam “vëllezërit” tanë nga feja se ndajmë një fe me ta. Ne kemi detyrimin të respektojmë të gjithë por t’i duam ata me të cilët kemi një marrëdhënie ose ato gjëra që janë të rëndësishme për identitetin dhe vetëkuptimin tonë. Për shembull, ne e duam vendin tonë sepse kemi një lidhje kaq të fortë me të, sa vetëm vdekja mund të na ndajë. Edhe kur largohemi nga vendlindja, mendja dhe shpirti ynë janë aty. Por kjo dashuri është brumosur aty, në lidhjen e natyrshme që ekziston mes vendit dhe personit. Nuk quhet mëmedhe apo atdhe kot.