Arsyet pse Macron i refuzoi shqiptarët:
- Sepse, Macronit i ka treguar Ismail Kadare se shqiptarëve kur ju ikë-të ndjekin; kur i ndjek-të ikin.
Por Macroni nuk i ka treguar Kadaresë pse Evropa për shije të kuzhinës franceze i importon në vit nga Azia mijëra tonelata këmbë të zhabave, sepse shqiptarët nuk hanë zhaba, prandaj nuk e kuptojnë se sa të shijshme janë ato këmbët e tyre.
- Shqiptarët bëhen të gjallë veç kur i mohon, ‘e mira’ e mirësia shqiptarëve nuk u duket interesant, nuk i motivon për aksion;
- Shumë shqiptarë bëjnë jetë të dyfishtë, për shembull, kanë dashnore, gjë që francezit nuk i ndodh me jetu jetë të dyfishtë, sepse është i lirë të jetoj si do vet;
- Macron ka pritur që Edi Rama ta lyej trupin me hudhër si Salvador Dali e të shkoj ashtu i lyer në takim me ta: ka pritur që gjatë darkës solemne papritur t’ua shpalos prapanicën e t’ua rreh ftyrës, ka pritur gjithçka prej tij, që si Marquis de Sade me kakën e tij ta shkruaj në muret e BE ‘Fuck You’, por s’ka pritur që Edi Rama të vet-bëhet hero e t’i marr tiparet fizike të Ismail Qemalit.
Kjo ka ndikuar që Albin Kurti të konsiderohet në popull Isa Boletin, e veç Shota ju ka mbet mangut, shkaku se s’po don m’u çu Azemi.
Për Esat Pasha shqiptarët s’kanë pasur kurrë krizë.
Vlen të theksohet se sherri i shqiptarëve të Maqedonisë nuk u hapën negociatat me maqedonët e Maqedonisë. Këtë fakt e dinë bota.
- Macron kujton se shqiptarët i nënçmojnë gratë e tyre dhe u ngjesin nofka.
Ta zëmë secila familje e ka pasur ndonjëherë një grua ‘budallaqe’ për ta marrë si shembull krahasimi me gratë e fisit që vijnë.
Në këtë rast Edi Rama i ka përplasur argumente hundëve Macronit, i ka thënë se kur femrat shqiptare janë veshur si burra, në Paris gratë franceze s’kanë guxu me ligj me vesh pantallona, nga vitet 1800-2012 ka qenë e ndaluar francezja në Paris m’u vesh me pantallona, bile një sportiste e kanë dënu në vitin 1930, s’ja kanë dhënë medaljen e merituar shkaku se ka refuzu m’i zhvesh pantollat.
- Macron mendon se shqiptarët të shikojnë në drita të syve, dhe të rrejnë pa lëvizur çerpikë.
Ekipi i tij hulumtues ka vërejtur se gratë shqiptare i porosisin me pare pitet e flijat nëpër piteria e bukatore, kurse ato i prezantojnë para mysafirëve si vepra të veta.
Franca e ka hetuar se shqiptarët bëjnë plagjiat edhe në autorësinë e piteve, lëre më në art. Për pasojë, këta njerëz rrejnë pa asnjë arsye, thjesht rrejnë, se rrena u ka ndihmuar historikisht të mbijetojnë. - Vajzave shqiptare nuk u japin trashëgiminë te baba, ndërsa kur shkurorëzohen dalin nga shtëpitë e burrave me duar në xhepa.
Nëpër kanagjeqe e kanë kthyer vajtimin, qajnë vajzat rrejshëm me zë pse shkojnë te burri, e edhe më shumë qajnë veteranet e burrave për t’ritë e tyre që ‘gjithmonë’ dhe të ‘gjithave’ u shku posht’. Rinia gjithmonë shkon posht’, prandaj thonë ‘kur t’vijnë mendtë-t’hupin dhentë’. - Shqiptarët e gjuajnë çamçakëzin në gjendje mobile duke ecur në rrugë. Të gjitha rrugët shqiptare janë të shtruara me orbita të shkrirë.
Pastaj i prejnë thonjtë nga ballkoni ose në saksitë e luleve, dhe i kanë këngët e kqija. - Macroni ka vërejtur se si shqiptarët me shumicë besojnë se janë të prekur nga magjia e zezë dhe merren me shërimin nga sihiret.
Evropiani duhet të jetë plotësisht i liruar nga magjia e zezë, prandaj me kohë Evropa i ka heq qafe shtrigat e veta, me miliona. Se as Evropa s’ka mundur të hyjë në BE, me shtriga.
Kur ndër shqiptarët të mbetet sihirbazi i fundit, lajmërohuni.
- Delegacioni që ka dërguar francezi për të parë mënyrën se si jetojnë shqiptarët dhe adetet e tyre, e kanë parë se ‘Shqipëria nuk është vend për pleq dhe për beqarë’.
Plaku në Shqipëri konsiderohet si ‘tepricë’ e natyrës, ndërsa beqari konsiderohet jonormal. - Macronit i kanë treguar se Edi Rama këto vitet e fundit shpesh e ka dëgjuar këngën me tekstin më të shëmtuar në botë: ‘E para m’është nana, e dyta më je ti; Po mos t’ishte mama, s’do t’më kishe ti’.
Zaten kjo këngë ka qenë vendimtare që francezi të merr qëndrim të prerë kundër shqiptarëve. - Shqiptarët lëre që e kultivojnë drogën ashiqare, ata plus i këndojnë drogës dhe mburren me të. Shqiptarët e famshëm mendojnë se droga dhe tetovazhet të bëjnë ‘dikushi’.
- Macron ka lexuar se si Kanti ka thënë se ‘shqiptarët nuk janë dashnorë të sinqertë’. Amerikën e duan për interesin e lirisë, Evropën e duan për pare, kurse Lindjen e duan, kështu për qejf t’shpirtit.
- Në parqet e Shqipërisë, WC-të publike punojnë me orar komunist, mbyllen pasdite, kurse urinimi dhe ato tjerat nevoja nuk kanë orar.
- Femrat shqiptare më shumë shpenzojnë pare në kozmetikë plastike sesa në libra.
Për pasojë, delegacioni i Macronit e ka hetuar një kamion zjarrëfikësi duke u dhënë përparësi në komunikacion dy vajzave seksi. Shpija më shumë se që u djeg-nuk digjet.
P.S. Falenderoj Fatmire Berishën për kontributin e saj në shtjellimin e këtyre fakteve.