Kryeministri i Albin Kurti i ka cilësuar shumë të mira raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht kritikave publike që ka marrë qeveria e tij në muajt e fundit nga SHBA-ja.

Në një intervistë për televizionin publik, Kurti ka thënë se me amerikanët pajtohet për shumicën e gjërave, “por jo për gjithçka”.

“Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – si një aleat i pazëvendësueshëm, e i paçmueshëm, si një partner substancial në të kaluarën, në të ardhmen e sidomos tani në këtë vit të rëndësishëm dhe si një mik të dëshmuar – janë shumë të mira. Por marrëdhënia do të thotë edhe marrje edhe dhënie dhe në anën tjetër duhet të jetë një raport me rrugë dykahore. Nëse për të pasur marrëdhënie të shkëlqyeshme kushti, garancia dhe mundësia është veç serviliteti, do t’i kishin pasur ata që kanë shkuar jo unë. Pse erdhi puna unë të bëhem kryeministër? Sepse populli i Kosovës po do marrëdhënie më të thella e më të gjëra, jo me shkëlqye nga serviliteti, por për përfitohet nga normaliteti. Populli dëshironte që edhe me partnerët edhe aleatët tanë të mos përfitojmë ne si individë, por të përfitojë shteti edhe ne si individë humbim nga pak”, ka theksuar Kurti.

Kurti: Nuk mund te kemi zbatim të marrëveshjes derisa kemi shkelje të saj

Kryeministri Albin Kurti ka theksuar sa ka ngecje në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por jo me fajin e Kosovës.

Ai ka thënë se nuk ka zbatim të Marrëveshjes së Brukselit derisa ka shkelje të saj.

“Më 27 shkurt të vitit të kaluar bëmë marrëveshje. Ajo marrëveshje është njohje de facto së paku. Më 18 mars ia bashkëngjitëm edhe një aneks dhe aty thuhet se asnjë nen nuk është më i rëndësishëm se tjetri. Kur u pa progresi, Serbia filloi sistematikisht t’i shkelë e të mos i respektojë 11 nene, 8 prej tyre me siguri i ka shkelur shumë herë dhe gjashtë fjali në preambulë. Për fatin tonë të keq, Brukseli si një arbitër nuk reagonte me rastin e këtyre shkeljeve. Pra moszbatimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të zbatimit nga Ohri e kanë mbajtur temën e dialogut gjallë. Pra flitet shumë për dialogun sepse nuk kemi arritur rezultatet e dëshiruara”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, problemet lindën kur Brukseli nuk e përdori fuqinë e tij, ta sanksionojë Serbinë sa herë ka shkelje të marrëveshjes.

“Nuk mund të kemi zbatim të marrëveshjes derisa kemi shkelje të saj. Sot jemi në këtë situatë jo të mirë për shkak se arbitri nuk e ka qortuar Serbinë që bëri shkelje të marrëveshjes”, ka thënë kreu i ekzekutivit për RTK-në.

Kryeministri Kurti ka thënë se ka ende diplomatë në BE që mendojnë se Serbia nuk është me Rusinë.

“Është një lloj brenge që nëse qortohet Serbia ajo do të shkojë me Rusinë, me Kremlinin, e presidentin despotik Putin, thua ti që tashmë se ka bërë këtë gjë. Ka shumë diplomatë në Perëndim të cilët duan të besojnë që Serbia ende nuk ka shkuar me Rusinë. Kujdesi i tepruar ndaj Serbisë, të cilin e pranojnë në takime private, se nuk është paguar, mirëpo dëmi është bërë”, ka deklaruar Kurti.

Duke folur për Asociacionin e komunave më shumicë serbe, Kurti ka thënë se për këtë i ka dy marrëveshje të trashëguara një në vitin 2013-2015.

Por tash Kosova, sipas tij, e ka një marrëveshje të re me Serbinë, e cila është edhe në dokumentet zyrtare të Bashkimit Evropian, e të Këshillit Evropian ku janë krerët e 27 shteteve.

“Aty është edhe neni 10 që thotë se të gjitha marrëveshjet e kaluara janë të vlefshme dhe ligjërisht të obligueshme, e neni i shtatë thotë vetë-menaxhim për komunitetin serb”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti duke folur për çështjen e zbatimit të rregullores së BQK-së, e cila thotë se valutë e vetme për këmbim është euroja në Kosovës, ka thënë se Qeveria është e gatshme të ndihmojë ku ka nevojë gjatë zbatimit.

“Nuk mund të ndërhyjmë te plani i BQK-së për zbatim e as te Rregullorja, e cila tashmë është aprovuar. Sa i përket dinarit si Qeveri e Kosovës kemi dhënë opsione që i qëndrojmë prapa. Por, Qeveria e Kosovës është e gatshme të mbështes zgjidhjet e çfarëdo problemi faktik që mund të shfaqet”, ka thënë Kurti. /REL