Më shumë se dy dekada pasi u legalizua, në Gjermani, debati për prostitucionin është hapur sërish.
Opozita konservatore në Parlament po bën fushatë për të reformuar ligjin e vitit 2002 që e bëri punën seksuale të ligjshme.
Partia CDU e ish-kancelares Angela Merkel pretendon se legalizimi nuk e ka arritur qëllimin e tij: situata e punonjëseve të seksit nuk është përmirësuar dhe trafikimi i qenieve njerëzore nuk është ndalur.
Sipas disa studimeve, shumica dërrmuese e grave që punojnë në prostitucion në Gjermani janë në fakt nën kontrollin e një tutori.
Në pak më shumë se 20 vjet, Gjermania është bërë një El Dorado për turizmin seksual. Njerëz nga e gjithë bota vizitojnë shtëpitë publike të Hamburgut dhe për të përfituar nga “shërbimet” krejtësisht të ligjshme.
Ligji për legalizimin e prostitucionit, i miratuar në vitin 2002 nga Social Demokratët dhe të Gjelbërit, synonte të ofronte siguri, mbrojtje dhe autonomi për punonjëset e seksit duke u dhënë atyre një status profesional. Por ky ligj dekriminalizoi edhe tutorët duke krijuar statusin e “sipërmarrësit të seksit”. Si rezultat, ky biznes fitimprurës është ende i dominuar kryesisht nga krimi i organizuar.
Zyrtarisht, Gjermania numëron 2 310 institucione që ofrojnë shërbime seksuale, ndërsa rreth 28 280 prostituta janë të regjistruara, sipas zyrës federale të statistikave Destatis. Por numri i punonjësve të seksit të paregjistruar besohet të jetë shumë më i lartë. Organizata të ndryshme vlerësojnë se në këtë sektor fitimprurës punojnë nga 200 000 deri në 400 000 njerëz. Sipas disa studimeve, 90 për qind e tyre janë viktima të trafikimit të qenieve njerëzore.
Në Berlin, Gerhard Schönborn, punonjës social, i cili drejton një shoqatë për gratë prostituta, për France 24 thotë se legalizimi i prostitucionit nuk ka ndryshuar asgjë.
20 vjet më parë, legalizimi përkoi me hapjen e BE ndaj vendeve të Europës Lindore. Që atëherë ky sektor ka qenë në kërkim të pandalshëm për “mish të freskët”. Me luftën në Ukrainë dhe mbërritjen e 1 milionë refugjatëve në Gjermani, numri i prostitutave ukrainase është rritur dukshëm.
Lufta në Ukrainë e ka furnizuar tregun me punonjëse të reja, të cilat mesa duket nuk e kanë zgjedhur këtë punë.
Para pushtimit të Ukrainës nga Rusia ishin 24 prostituta ukrainase në Berlin, tani janë 118. Pas gjermanëve dhe rumuneve, ato janë kontingjenti i tretë nga vijnë prostitutat. Këto gra nuk kanë pasur lidhje më parë me prostitucionin. Ato kanë bërë punë normale dhe nuk e dinin se çfarë i priste në Gjermani.
Ulrich Rommelfanger, avokat konstitucionalist, thotë se ligji e ktheu Gjermaninë në Tajlandën e Europës dhe shkel dinjitetin e mijëra grave çdo ditë.
Legalizimi i prostitucionit shkatërroi sistemin tonë të vlerave. Ne duhet të reagojmë menjëherë.
Sipas një studimi të kryer nga Koalicioni për Shfuqizimin e Ligjit të Prostitucionit, jetëgjatësia e një prostitute nuk i kalon 40 vjet.
Në reportazh sillet rasti i Jarës, një prostitutë që kontrollohet nga një tutor. Ajo ka punuar për vite të tëra në këtë profesion, madje është detyruar nga punëdhënësi të shfaqet edhe në televizion për të folur për profesionin si “zgjedhje e lirë”.
Ligji i pashkruar i kësaj bote të errët është se nuk duhet të flasësh, as me policinë dhe as me dikë tjetër. Paratë i ka klienti dhe ai i bën rregullat. Nëse paratë shkojnë te tutori im, atëherë i bie që unë t’i kaloj limitet e mia çdo ditë.
Sipas Institutit të Kriminologjisë në Gjermani, 90% e grave që punojnë si prostituta kontrollohen nga një tutor. Kritikët thonë se ligji nuk e emancipoi prostitucionin, por e ktheu Gjermaninë në shtëpinë publike më të madhe të Europës.
Për të shpëtuar mijëra gra nga ky shfrytëzim, 1/5 e parlamentit gjerman duhet të votojë që ligji t’i dërgohet për rishikim Gjykatën Kushtetuese.