Dëshmitë tregojnë se Noli jetonte larg luksit, në një apartament të thjeshtë me orendi të vjetra, aq sa përfaqësuesve të “Vatra” u vinte turp nga jeta e Nolit, kujton MekuliPress.com

Nga dëshmitë e miqve:

“Noli si person ishte njeri i thjeshtë, atij nuk i pëlqenin lukset dhe banoi gjithë kohën e fundit të jetës, 1934-1965, në një apartament të vjetër, me mobilie shumë të vjetra. Ishte fort i kursyer. Rronte më shumë me perime dhe rrallë hante mish. Vishej me rroba modeste, por të paqme. Ishte mikpritës. Dera e tij ishte e hapur jo vetëm për miq, por edhe për ata kundërshtarë që e vizitonin. Të priste me buzëqeshje e fisnikëri, por jo sipas zakonit shqiptar, sepse asnjë gotë nuk të nxirrte, dhe jo se s’kishte, por ashtu e kishte zakon”/DHIMITËR J. THANASI

“Jeta e Nolit në apartamentin e tij të thjeshtë në Blagden Street, 26, ishte spartane. Dyshemenë e kishte të shtruar me lecka dhe dhomën të pajisur me orendi të vjetra. Një tavolinë në dhomën e ndenjies përbënte “zyrën” e tij dhe aty ai priste vargun e pafund të vizitorëve. Zakonisht mbathte sandale të hapura. Shtëpia e tij ishte pranë Bibliotekës së madhe Publike të Bostonit në Copley Square dhe ai kalonte me kënaqësi orë të frytshme duke kërkuar materiale për krijimtarinë e vet letrare”. /ANTONI ATHANAS

“Në atë kohë zyra e “Vatrës” ishte vetëm 2-3 minuta larg apartamentit të Nolit, në 26 Blagden Street, Boston. Ishte një apartament i vogël, me mobilie të thjeshta dhe me një pamje pak si të zhveshur, pak si të vjetruar. Pjesës së pasur të zyrtarëve të “Vatrës” u vinte si turp nga ky apartament, ngase mendonin që vendbanimi i Nolit bënte figurë të keqe në sytë e amerikanëve. Por kishte një të mirë ky apartament: ndodhej në një rrugë të vogël e të shkurtër dhe shumë të qetë. Ideale për studime, lexime dhe shkrime”/PETER R. PRIFTI /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress