Letra e një gruaje të mbijetuar për një grua tjetër!

Kësaj radhe protagoniste është një 39-vjeçare shqiptare, e cila një ditë më parë i mbijetoi tërbimit të burrit të saj, me të cilin ishte në proces divorci, por vajza e saj që u hodh për ta mbrojtur u vra me thikë nga i ati, ashtu si një shtetas italian, me të cilin ai dyshonte se kishte lidhje gruaja. Pas tragjedisë së Torremaggiore-s, Foggia, 52-vjeçarja nga Tortolì, Paola Piras, e cila dy vjet më parë humbi djalin e saj, që u vra për ta mbrojtur nga partneri i saj i dhunshëm, vendosi t’i shkruajë 39-vjeçares shqiptare që pati të njëjtin fat tragjik. Tefta, ashtu si Paola, u mbrojt nga tërbimi vrastar i të shoqit nga vajza e saj 16-vjeçare, e cila u vra së bashku me gjoja të dashurin e saj.

“E dashur Tefta, nuk të njoh, por disi fati, fati i keq, na bën të afërta. Kam kaluar në errësirën tënde. Dije që të gjithë e kalojnë dhimbjen në mënyrën e tyre. E di, sepse kalova në të njëjtën errësirë si ty. Dy vjet më parë, djali im Mirko u përpoq të më mbronte nga njeriu i dhunshëm, të cilin për fat të keq e kisha dashur dhe që më pas e kisha lënë dhe denoncuar.

Atë 11 maj ai u shfaq i armatosur dhe filloi të më godiste me thikë: një, dy, tre, 18 herë. Mirko, si vajza jote Gessica, vendosi të më mbronte. Dy fëmijë të vrarë tragjikisht sepse deshën të na mbronin nga ata, burrat që s’patën kurajë për të pranuar fundin. Kam menduar shumë herë për këta lloj burrash. Nuk jeni në gjendje të përballoni braktisjen? A mendoni se nuk mund të jetoni më pa gruan që ju la? Nëse e gjithë kjo bëhet kaq shkatërruese për ju, vrisni veten. Kthejeni të keqen brenda vetes ose kërkoni ndihmë për të shpëtuar prej saj.

Askush të mos guxojë të thotë se ishte faji yt, sepse kjo të dhemb. Helmon mendimet, të vendos në të njëjtin nivel me vrasësin. Me mua e bënë disa herë. Faji im, tha dikush, është sepse pas ndarjes nuk kam qenë aq shenjtore, që jam futur në një histori të gabuar, me një burrë të dhunshëm, për më shumë pakistanez.

E dashur Tefta, lexova që ke një fëmijë tjetër. Ndoshta e ke menduar tashmë se të jetosh nuk ka më kuptim, një nënë që mbijeton para një fëmije ekziston, por nuk jeton. Por ia detyrohesh atij, fëmijës tënd. Ti ia ke borxh atij dhe vetes. Mbaje sa me afër te mundesh dhe ruaj kujtimet e vajzës tënde sikur të ishin gurë të çmuar. Ushqeji ato! Mbaji të ndezura. Kjo është e vetmja mënyrë ta kesh akoma aty me ty”, përfundon ajo.