Endometrioza është një çregullim ku inde të ngjashme me indet që normalisht veshin muret  e brendshme të mitrës (endometriumit), rriten jashtë mitrës.

Simptomat e endometriozës janë të ngjashme me ato të problemeve të tjera shëndetësore, duke e bërë kështu të vështirë diagnostikimin. Për këtë arsye, shumë gra, përjetojnë simptoma të endometriozës deri në 10 vjet para se të marrin një diagnozë dhe trajtimin e duhur.

Një diagnozë e hershme e endometriozës mund të ndihmojë në një menaxhim më të mirë të simptomave. Prandaj është e rëndësishme që t’i dini shenjat dhe simptomat e saj e të diskutoni me mjekun tuaj nëse mendoni se mund të vuani nga diçka e tillë.

Shenjat dhe simptomat e endometriozës:

  • Menstruacione të dhimbshme (dysmenorrhea)

Dhumbjet dhe krampet mund të fillojnë para menstruacioneve dhe të vazhdojnë gjatë dhe disa ditë pas tyre. Disa gra e përshkruajnë këtë dhimbje si shumë më të madhe se zakonisht dhe me intensitet që rritet me kalimin e kohës.

  • Dhimbje në zonën e pelvisit, belit dhe fundit të shpinës

Mund të përjetoni dhimbje në këto zona gjatë menstruacioneve ose ndonjëherë dhimbjet mund të jenë kronike.

  • Dhimbje gjatë apo pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale

Kjo dhimbje mund të duket e thellë dhe ndryshon shpesh, me ndryshimin e pozicioneve apo fazës së menstruacioneve.

  • Gjakrrjedhje e tepërt

Mund të përjetoni gjakrrjedhje të tepërt gjatë periodave (menorrhagia ) apo midis periodave me njëra – tjetrën (menometrorrhagia).

  • Vështirësi për të ngelur shtatzënë (infertilitet)

Në shumë raste endometrioza diagnostikohet në gra që kërkojnë trajtim për infertilitet.

  • Dhimbje gjatë jashtëqitjes apo urinimit

Zakonisht kjo simptomë ndodh gjatë menstruacioneve.

  • Lodhje dhe simptoma digjestive

Simptoma të tjera mund të jenë lodhja, diarreja, kapsllëku, fryrja apo të vjella, sidomos gjatë menstruacioneve.