Më 3 mars të vitit 1931, një akt i Kongresit shpalli këngën “The Star-Spangled Banner” si himn kombëtar të Shteteve të Bashkuara.

Kënga kishte qenë tepër e njohur për shumë dekada para se të merrte këtë status. Teksti i saj u shkrua nga Francis Scott Key gjatë Luftës së vitit 1812, në kohën kur britanikët po bombardonin kështjellën Fort McHenry në Baltimorë të shtetit Maryland.

Vetë autori i tekstit ishte dëshmitar i bombardimeve. Mëngjesin pas sulmit, ai u frymëzua kur pa flamurin amerikan me 15 yje ende të valëvitej mbi fortesë, një simbol që tregonte se ajo nuk ishte dorëzuar dhe ishte e gatshme të vazhdonte qëndresën.

Flota britanike më pas u largua, duke i dhënë fund rrezikut për Baltimorën. Poema e Key-t u kombinua më vonë me muzikën e një kënge britanike që ishte shumë e dëgjuar në Shtetet e Bashkuara, duke krijuar kështu atë që tani njihet si himni kombëtar amerikan.

Koment i MekuliPress: Një komb pa fjalë në himnin e tij – një padrejtësi e imponuar

Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera kanë himne që ngërthejnë në vetvete një histori, një identitet dhe një mesazh të fuqishëm për qytetarët e tyre, Kosova fatkeqësisht ka një himn pa fjalë, pa vargje, pa domethënie. Një himn i imponuar nga një grusht ndërkombëtarësh dhe i miratuar nga politikanë të dobët dhe të paqëndrueshëm, të cilët pas luftës e pranuan pa guxuar ta kundërshtojnë këtë absurd.

Kjo është jodemokratike, sepse asnjë popull nuk duhet të mbetet pa një himn që e përfaqëson. Ky himn është produkt i zorit, një kompromis i detyruar që nuk reflekton historinë dhe ndjenjat e popullit shqiptar në Kosovë. Për pasojë, ai nuk është as i dashur, as i respektuar, por përkundrazi – shkakton irritim, provokim dhe dhimbje tek ata që ndihen të privuar nga e drejta për ta pasur një himn që flet për identitetin dhe sakrificat e tyre.

Në çdo ceremoni, kur himni i Kosovës luhet në heshtje, pa fjalë dhe pa emocion, ai e përkujton popullin se diçka e shenjtë iu është mohuar. Një komb që ka derdhur gjak për liri nuk mund të mbetet pa një himn që e thotë këtë me fjalë. Ndaj, ndryshimi është i domosdoshëm. Himni duhet të pasqyrojë historinë dhe shpirtin e kombit shqiptar, jo të mbetet një melodi e pakuptimtë, e imponuar nga jashtë.

By