Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar në Beograd se në të gjitha takimet që ka pasur në Prishtinë, i është thënë se Kosova do të implementojë të gjitha obligimet që i ka marrë përsipër, duke përfshirë këtu edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lajçak ka përmendur edhe ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, duke thënë se ajo nuk është “Bibël”.

“Qëndrimi ynë është se ne jemi duke negociuar aq procese serioze që është e logjikshme që do të duhet të ndryshojë edhe Kushtetuta”, ka thënë Lajçak në Beograd më 15 tetor. “Për këtë askush nuk më tha që kjo është e pamundur. Do të thotë, Kushtetuta nuk është Bibël dhe nëse merrem vesh për çështje serioze, normale është, ajo do të duhet të reflektohet edhe në Kushtetutë”, shtoi ai.

Lajçaku e vizitoj Beogradin pas takimeve dy ditore në Prishtinë.

Kjo deklaratë ka ngjallur shumë reagime në Kosovë, mirëpo jo edhe reagimin e Qeverisë së Kosovës. REL-i ka provuar të marrë një qëndrim nga zyra e kryeministrit Avdullah Hoti, por askush nga zyrtarët nuk ka komentuar lidhur me këtë çështje ose sa i përket deklarimit të Lajçakut se ‘askush nga bashkëbiseduesit e tij (në Prishtinë) nuk tha që ata nuk do të përmbushnin detyrimet e tyre’.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka përsëritur në disa raste se Asociacioni është temë që nuk hapet më, por pas takimit me Lajçakun ka thënë se “Asociacioni nuk do të themelohet pa u arritur marrëveshja finale”.

Time Kadriaj, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo që është pjesë e koalicionit qeverisës, tha se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e qartë dhe e paprekshme. Sipas saj, është Serbia ajo duhet ta ndryshojë Kushtetutën e vet dhe duhet të kërkojë falje për të gjitha krimet që i ka shkaktuar popullit të Kosovës.

Kurse, në partinë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, thonë se në takimin me Lajçakun, është diskutuar për procesin e dialogut, por jo edhe për Asociacionin.

Zëdhënësi për media i kësaj partie, Përparim Kryeziu, tha se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 23 dhjetorit 2015, që e ka bërë projekt të pamundur në Republikën e Kosovës, kjo temë duhet të jetë e mbyllur për të gjithë.

Partitë e tjera parlamentare në Kosovë, nuk e kanë komentuar deklaratën e Lajçakut të dhënë në Beograd.