Drejtori i shkarkuar i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, e ka përfshirë kryeministrin Avdullah Hoti në një rrjet kriminal, i cili, sipas tij, ka dëmtuar buxhetin e Kosovës me miliona euro.

Murtezaj ka thënë se Hoti, në kohën kur ka qenë ministër i Financave, ka qenë në dijeni për këto vepra, por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, raporton KOHA.

Murtezaj, në një konferencë për media një ditë pas shkarkimit të tij nga kryeministri, ka akuzuar Hotin edhe për punësim të familjarëve të tij në Ministrinë e Financave.

Kurse, ka thënë se ka pasur presion nga ministrja aktuale e Financave, Hykmete Bajrami.

Murtezaj ka thënë se kur ka ardhur në krye të ATK-së më 2019 këto dyshime i ka adresuar në organet e drejtësisë.

Kurse, vendimin për shkarkimin e tij e ka vlerësuar në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Ish-drejtori ka pranuar se ka lëvizur stafin nëpër pozita, por ka thënë se këtë e ka bërë për t’ua “lëvizur strofullin keqpërdoruesve”.

Shkarkimin e Murtezajt, por edhe të drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj, e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Doganës, Ibrahim Xhaka, e ka kritikuar gjatë së shtunës edhe Partia Demokratike.

Totaj madje ka thënë se është për keqardhje mosreagimi i ambasadave të huaja ndaj këtyre shkarkimeve.