Sot u mbushën 25 vjet të ndarjes nga jeta të plakut të urtë, Anton Çeta.

Ai mbahet mend për urtësinë e tij që kishte, për punën e madhe që ka bërë në mbledhjen e folklorit shqiptar.

Por veprimtaria e tij më e madhe është në Lëvizjen e pajtimit të gjaqeve. Kjo lëvizje u zhvillua në fillim të viteve 90 dhe arriti për një kohë të shkurtër të pajtojë hasmëritë mes shqiptarëve në Kosovë dhe trevat tjera shqiptare.

Kjo lëvizje e udhëhequr nga plaku i urtë u përkrah nga studentët dhe intelektualët e kohës.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës sivjet ka vendosur që nëntori të jetë muaji i Anton Çetës, duke u shënuar me një varg aktivitetesh si përurimi i veprave të Anton Çetës, përurimi i Kullës se Fazli Buqollit në Raushiq.

MKRS-ja ka bërë të ditur se gjatë këtij muaji do të ketë edhe ekspozita, filma dokumentarë e simpoziume shkencore në Tiranë dhe në Prishtinë.

Ndryshe, viti 2020 shënon 30-vjetorin e pajtimit të gjaqeve, kthesës historike mbarëpopullore në Kosovë e jashtë saj, që i kontribuoi zhdukjes së hasmërive dhe shërimit të shoqërisë shqiptare e pajtimit mes njerëzve.