Një ditë dedikuar filozofisë
Nga. Jak Simoni

E Enjtja e tretë e çdo muaj Nëntor është Dita Ndërkombëtare e Filozofisë. Bazuar në rëndësinë e kësaj disipline në formimin njerëzor, UNESCO e shpalli këtë ditë si të tillë që në vitin 2002. Aktivitete me rastin e kësaj dite si konferenca shkencore, leksione të hapura, promovime librash, zhvillohen në shumicën e universiteteve të botës, por këtë vit janë më të kufizuara për arsye të pandemisë. Por ku konsiston origjina e filozofisë dhe çfarë është ajo me pak fjalë?

Filozofia, apo ndryshe dëshira për dije, është një disiplinë e lashtë, që në pikënisje të saj ka habinë, dyshimin, kuriozitetin. Ajo ishte fillimisht e orientuar drejt “zgjidhjes” se enigmës së natyrës, duke kërkuar principin bazë të gjithçkaje në botë. Gjithçka fillonte e mbaron me: ujin (Taleti), ajrin (Anasimeni), zjarrin (Herakliti), numrat (Pitagora), farat (Anasagora), atomet (Demokriti). Disiplinë që filozofët e parë i orientoi në mënyrë mahnitëse drejt qiellit, saqë nuk shikonin pengesat apo gropat që kishin përpara kur ecnin (Taleti) dhe që i bëri të kuptojnë shpejt se qielli vijonte dhe poshtë këmbëve tona (Anasimandri); disiplinë gjithnjë në debat kontradiktor, të papërmbajtur dhe të zjarrtë deri në konflikt me veten dhe të tjerët tek megarikët; me veten, deri në vetëdëmtim, kur nuk arrinin të zgjidhnin paradokset, apo ushtrimet e ndërlikuara logjike. Sipas saj panta rei (gjithçka rrjedh, atribuuar Heraklitit), apo gjithçka është një e tërë (Parmeneidi), apo lëvizja është paradoksale (Akili nuk arrin breshkën, sipas Zenonit). Këtë dije, ashtu si Prometeu zjarrin, “Sokrati e mori nga perënditë dhe ua shpërndau njerëzve”, ndërsa Platoni e konsideronte gjimnastikë të shpirtit. Dije që, fillimisht Platoni, pastaj Aristoteli, kërkuan ta injektonin tek princat (“Meqenëse nuk mund të bëhet filozofi mbret, le të bëhet mbreti filozof” – mendonte Platoni, por nuk ja arriti).

Kjo disiplinë, nëpërmjet Platonit dhe pasuesve të tij, kërkonte të vërtetën tek bota e “ideve të përsosura dhe të kulluara” (tek tabloja e Rafaelit titulluar Shkolla e Athinës dora lart e Platonit në qendër është interpretuar në këtë mënyrë: lart në qiell është bota e vërtetë, ndërsa bota në të cilën jetojmë është vetëm kopje jo e përkryer e saj). Bota e ideve të përsosura dhe të kulluara nuk bind Aristotelin i cili ka shprehjen e famshme: “kur bëhet fjalë për të zgjedhur ndërmjet mikut dhe të vërtetës preferoj të vërtetën”.

Disiplinë, që do të bënte tërësisht të vetëmjaftueshëm, indiferentë, përbuzës ndaj kënaqësisë (më e preferuar çmenduria se kënaqësia sipas Antistenit), lumturisë, parasë, pasurisë (Diogjeni zgjodhi të jetonte në tinar të bërsive), pushtetit (po Diogjeni përbuzi atë të Aleksandrit të Madh) cinikët, që preferonin qentë në vend të njerëzve (“Sa më shumë njoh njerëzit aq më shumë dua qenin tim” – shprehej Diogjeni).

Disiplinë që virtyt do të bënte kontrollin e pasioneve dhe dijen (stoiket) dhe që do kuronte shqetësimet e shpirtit (Epikuri). Disiplinë që do të konsideronte botën si largim shkallë – shkallë nga përsosmëria (Plotini). Disiplinë me origjin sokratike nga “perënditë” që rikthehet tek “perëndia e vetme”.

Disiplinë që bëhet një me teologjinë(De Agostini) e që kërkoi “provat” e ekzistencës së “perëndisë” (Aquini). Disiplinë, që identifikoi në një qenien dhe “perëndinë” (Spinoza) e që konsideroi botën si shumicë qendrash individuale, si burim energjie, që përbëjnë tërë realitetin (Leibniz).

Disiplinë që unifikohet me iluminizmin dhe romantizmin për të arritur në kulmin e absolutizimit të saj, ku zëvendëson dhe fenë (Hegel). Disiplinë që bie në pesimizëm total, ku njeriu bëhet një shërbëtor i verbër i species (Schopenhauer) dhe që inatoset me te shkuarën e saj metafizike, me fenë, me kulturën duke e quajtur fantazmë dhe modernizmin (Nice).
Disiplinë që vetë eliminohet në Vjenë (Rrethi i Vjenës), por ringjallet përsëri nga Popper e të tjerë filozofë. Disiplinë që ndoshta sot nuk i mbetet gjë tjetër për të bërë, veçse të merret me absurditetin e një prej specieve të vetëshpallura si kurora e botës së organizuar në formën e saj më të lartë; me absurditetin e sjelljes njerëzore në botë.

Disiplinë për të cilën sakrifikuan Anasagora (dëbohet nga Athina), Demokriti (ka një legjende sikur vet verbohet, me qëllim që organet e shqisave mos ta ngatërronin në imagjinimin e atomeve të pakapshëm me organet e shqisave), Sokrati (me jetë), Boeci (me burg), Abelardi (tortura të tmerrshme), Xh Bruno (me jetë), Spinoza, Galilei (me burg) etj.
Me pak fjalë sakrifikim për njerëzimin e sforcim me i lartë i mendjes njerëzore, sforcim për të cilin pak kush do t’ja di sot.
Gjithsesi, një ditë te këndshme filozofike!