Mbi 25 minatorë të minierës së Artanës janë ngujuar në horizontet e minierës ku ata punojnë, në shenjë proteste për mosmarrjen e pagave. Aty po qëndrojnë që nga dita e djeshme, derisa paralajmërojnë se nuk do të dalin derisa Qeveria të mos i ekzekutojë pagat e tyre.

Për të njëjtat motive, të ngujuar po qëndrojnë edhe mbi 80 minatorë të Trepçës.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Minierës së Artanës, Blerim Ymeri, i ka thënë KOHËS se kërkojnë nga Qeveria dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, që t’i kryejnë të gjitha obligimet ndaj këtyre punëtorëve dhe të mos ketë vonesa në paga në muajt në vijim.

“Mbi 25 punëtorë të minierës së Artanës janë duke qëndruar në ambientet e tyre të punës që nga dita e djeshme në shenjë pakënaqësie për mosmarrjen e pagave. Kjo protestë ka nisur nisur nga ndërrimi i tretë i minatorëve, ndërkaq sot i është bashkuar edhe ndërrimi i parë. Na është thënë se këtë javë do të dalin pagat, porse ne nuk do të lëvizim derisa të mos ekzekutohen ato”, ka thënë ai.

Po në këtë minierë në qershor të këtij viti kanë humbur jetën dy minatorë. Ymeri ka thënë se ishte premtuar nga Qeveria që nga një familjar i viktimave do të punësohet në minierë, porse një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende. Ai në emër të sindikatës ka kërkuar që një zotim i tillë të realizohet. Ai gjithashtu ka kërkuar që të punojnë së bashku edhe në Ligjin për skema sociale.

KOHA të mërkurën ka raportuar edhe për mbi 80 minatorë të cilët po qëndrojnë të ngujuar në horizontin e 10-të të minierës së Trepçës në Stanterg. Derisa ushtruesi i detyrës së drejtorit të Bordit të Trepçës, Hysen Vrajolli, i ka thënë Kohës se përkundër që nga Qeveria ishte premtuar se do të alokohen një milion euro në xhirollogarinë e Trepçës, një gjë e tillë nuk është realizuar, me ç ‘rast edhe minatorët nuk kanë marrë pagat e muajit tetor.

Derisa në vitet e ’90-ta minatorët bënin protesta e grevë urie në mbrojtje të subjektivitetit politik të Kosovës e të shqiptarëve, tani bëjnë grevë e protesta për motive ekzistenciale të tyre.