Një satelit i përbashkët i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Europës është ndërtuar për të kryer monitorimin e niveleve të detit, në rang global. Sateliti u ngrit në një raketë ”SpaceX Falcon 9”, nga “Space Launch Complex 4E”, në Bazën e Forcave Ajrore Vandenberg, në Kaliforni.

Rreth madhësisë së një kamioni të vogël, “Sentinel-6 Michael Freilich” do të grumbullojë një set të dhënash të vazhdueshme për gati 30 vjet, për nivelin e deteve; informacione të mbledhura nga një bashkëpunim i vazhdueshëm i satelitëve amerikanë dhe europianë.

Nga ana tjetër, ky satelit rrit shkallën e informacionit për parashikimet e motit dhe siguron informacion të detajuar mbi rrymat oqeanike në shkallë të gjerë, për të mbështetur lundrimin e anijeve pranë vijave bregdetare.

“Toka po ndryshon dhe ky satelit do të ndihmojë në thellimin e të kuptuarit tonë se si po ndodh ky proces. Ndryshimi i proceseve të Tokës po ndikon në nivelin global të detit, por ndikimi në komunitetet lokale ndryshon shumë. Bashkëpunimi ndërkombëtar është kritik për të kuptuar këto ndryshime dhe për të informuar komunitetet bregdetare në të gjithë botën” tha Karen St. Germain, drejtor i Divizionit të Shkencës së Tokës në NASA.

Burimi: NASA