Mediat amerikane raportojnë se administrata në ikje e presidentit Trump po i vijon përpjekjet për të mbajtur nën kontroll televizionin dhe radion Zëri i Amerikës.

E gjitha kjo vetëm e vetëm që VOA në politikën e saj editoriale mos e kritikojë Donald Trumpin.

Sipas radios publike amerikane, NPR, Michael Pack, drejtor i Agjencisë Amerikane për Median globale, i emëruar nga presidenti Trump, kërkon të emërojë si drejtor të Zërit të Amerikës Robert Reillyin, me pikëpamje të hapura konservatore.

Në postin e drejtorit të VOA-s si i komanduar 6 muajt e fundit ka shërbyer shqiptari Elez Biberaj, i cili ka ndjekur një politikë editoriale, jashtë ndikimeve të kampit Trump.

Për t’i hapur rrugë emërimit të Robert Reillyt, Pack, drejtor i Agjencisë për Median globale, prej të cilës varet VOA, e informoi Biberajn për largimin e tij nga detyra gjatë takimit të tyre rutinë të mesditës. E Biberaj, në vend të dorëheqjes apo pensionimit, do të kthehet në punën e tij të mëhershme në deskun e Euroazisë, një nga gjashtë rajonet e mëdha të mbuluara nga rrjeti global.

Media amerikane NPR thekson se Biberaj, gazetari veteran në Zërin e Amerikës, u emërua nga vetë Pack si drejtor i komanduar i VOA-s dhe se ai mund të largohej në çdo kohë nga ky post.

Megjithatë prej korrikut e deri në dhjetor, Elez Biberaj asnjëherë nuk iu kundërvu publikisht Michael Packut por në mënyrë të shpeshtë i përsëriste redaksisë së lajmeve, rëndësinë e pavarësisë dhe kredibilitetin e VOA-së.

Kjo bëri që Michael Pack në mënyrë publike të kundërshtonte një valë raportimesh investigative të gazetarëve të VOA-s që sipas tij ishin të njëanshme anti-Trump.

Përballë kësaj situate, Elez Biberaj javën e shkuar i dërgoi një letër stafit të tij duke i uruar sukses pasardhësit.

“Gjashtë muajt e fundit mbase kanë qenë më sfiduesit në historinë e Zërit të Amerikës”, shkuan Elez Biberaj i cili thekson se marrëdhënia mes Agjencisë Amerikane për Median Globale dhe Zërit të Amerikës “është, për fat të keq, kundërshtuese”.

“Disa zyrtarë të agjencisë dështuan të respektojnë rregullat, protokollet dhe proceset që unë i konsideroj të paprekshme. Tentativat për të shkelur pavarësinë e gazetarëve të Zërit të Amerikës janë kërcënim për të minuar kredibilitetin e fituar me shumë punë në një kohë kur demokracia globale po bën hapa pas dhe kërcënimi ndërkombëtar po kërcënon vlerat dhe udhëheqjen e SHBA-së”.

Ky zhvillim me Zërin e Amerikës, që ka një audiencë botërore prej 350 milionë njerëzisht, zhvillohet në një kohë kur me të gjitha gjasat, presidenti i ardhshëm Joe Baiden, mund të shkarkojë Michael Packun, drejtor i Agjencisë Amerikane për Median Globale.

Sipas mediave amerikane, kjo që është duke bërë Trumpi nuk ka ndodhur asnjëherë më parë pasi sa herë që Republikanët kanë pasur presidencën, nuk kanë trazuar punët e Zërit të Amerikës. /tch