Mbi 100 vaksina po zhvillohen dhe testohen në të gjithë botën për të ndaluar pandeminë e koronavirusit, që ka lënë mbi 1.6 milionë njerëz të vdekur. Shumë vende po pësojnë rritje të shpejtë të rasteve dhe ekzistojnë shqetësime se sezoni i festave do të përkeqësojë mëtej situatën. Megjithatë, disa vende kanë miratuar vaksinat dhe kanë nisur t’i injektojnë tek grupet me rrezikun më të lartë në popullsi. Mbretëria e Bashkuar u bë vendi i parë që i jep dritën e gjelbër vaksinës së Pfizer dhe BioNTech, në nisje të Dhjetorit, duke i’a administruar dozën fillestare një 90-vjeçareje. Kanadaja ndoqi më 9 Dhjetor dhe pas 2 ditësh, Administrata e Barnave dhe Ushqimeve në SHBA, e miratoi gjithashtu.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha gjatë kësaj jave se rregullatori i barnave në Europë ka afruar procesin e miratimit të vaksinës së Pfizer më 21 Dhjetor, ç’ka mund të mundësojë nisjen e vaksinimit këtë vit. Vaksina e Moderna duket gjithashtu gati për autorizim të përdorimit emergjent këtë javë, pasi stafi i Administratës së Barnave dhe Ushqimeve në SHBA, nuk pa ndonjë shqetësim të madh me injeksionin. Vaksina e AstraZeneca me Universitetin e Oksfordit, është gjithashtu një kandidat kryesor.

Por, pavarësisht suksesit, prodhimi i vaksinave të mjaftueshme për të ndaluar pandeminë do të jetë sfida më e madhe e manifakturës në histori. Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se vetëm vendet e pasura do të mund të përballojnë trajtimin e të gjithë popullsisë.