Tre vjet më parë Kliti Kallamata një nga specialistët tanë më të mirë të Trashëgimisë shkruante:
Sot u mbushën 549 vjet që nga 17 Janari 1468 kur mbylli sytë Heroi Kombëtar i Shqiptarëve Gjergj Kastriot Skënderbeu, por ajo që më ra në sy është se kjo ngjarje historike dhe njëkohësisht simbolike, me të cilën filloi periudha e errësirës pesë-shekullore e pushtimit otoman nuk u kujtua në asnjë kanal televiziv në Shqipëri përveç një dokumentari të huazuar në Televizionin Shtetëror Shqiptar. U thanë gjithshfarë lajmesh nga vendi e bota, u kujtuan ngjarje e histori, madje edhe si ishte ngacmuar seksualisht Beberexha nga një producent kur ishte 19 vjeç, por nuk u tha asnjë fjalë, nuk u bë asnjë aktivitet, asnjë përkujtimore për veprën në ditën e vdekjes të Heroit Kombëtar të Shqipërisë. A thua se emri i tij po konsiderohet tabu?

Gjergj Kastrioti Skenderbeu ishte një fisnik, komandant ushtarak, që gjithmonë nuk përdorte asnjë titull tjetër për vehten e tij përveç se “Zot i Shqipërisë” (Dominus Albaniae). Fan Noli thotë se Gjergji lindi në 1405 dhe ishte më i vogli i nëntë fëmijëve (Stanisha, Reposh, Konstantin, Mara, Jelena, Angjelina, Vlajka dhe Mamica) të lindur nga martesa e Gjon Kastriotit me Vojsava Brankoviç. Ai u dërgua si peng në kryeqytetin otoman të asaj kohe, në Ederne, nga i ati sipas një rregulli të zakonshëm në atë kohë sipas të cilit një sundues lokal, i cili ishte mundur nga Sulltani, duhet të dërgonte njërin prej fëmijëve të tij në oborrin e Sulltanit, ku fëmija do të ishte peng për një kohë të pacaktuar; në këtë mënyrë, Sulltani ishte në gjendje të ushtronte kontroll në zonën e sunduar nga i ati i pengut. Dokumenti më i hershëm që ekziston me emrin e Gjergjit është akti i vitit 1426 në manastirin e Hilandarit, kur Gjon Kastrioti dhe të katër bijtë e tij i dhuruan këtij manastiri të drejtën e të ardhurave nga taksat e mbledhura nga dy fshatra (Mavrova e sotme dhe Rostusha, sot në FYROM). Turqit otomanë i dhanë atij emrin ‘Skënderbej’ që do të thotë “Zoti Aleksandër”, apo “Aleksandër Bej”, duke çmuar aftësitë e tij ushtarake të krahasueshme me ato të Aleksandrit të Madh.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu i shërbeu Perandorisë Otomane në vitet 1423-43, Republikës së Venecias në 1443-47 dhe Mbretërisë së Napolit deri në vdekjen e tij. Por më shumë ai i shërbeu vendit të tij Shqipërisë, duke e bashkuar popullin shqiptar, duke e bërë atë të ndërgjegjshëm për identitetin nacional të tij dhe duke u shndërruar deri në ditët e sotme në një burim frymëzimi për bashkimin kombëtar, lirinë e pamvarësinë e Shqipërisë. Ndërsa akoma më shumë Gjergj Kastrioti Skenderbeu i shërbeu mbarë Krishterimit duke ndalur dhe penguar zgjerimin e Perandorisë Otomane drejt Europës Perëndimore (pamvarësisht dështimit të planeve të Papa Piu II për të organizuar një kryqëzatë të premtuar, që do ti shporrte përfundimisht otomanët nga Konstantinopoja). Papa Calixtus III e shpalli Skënderbeun “Kapiten të Përgjithshëm të Curias” (Juridiksioni Kishtar i Kishës Katolike të Romës) në luftën kundër otomanëve dhe i dha atij titullin e veçantë “Atlet i Krishtit”.
Dëmi që Skënderbeu i shkaktoi ushtrisë otomane ishte e tillë sa thuhet se vetëm ai ka vrarë me dorën e tij tre mijë turq gjatë betejave të tij. Thuhet gjithashtu se ai nuk flinte kurrë më shumë se pesë orë në natë dhe mund të priste me shpatën e tij dy burra e ti ndante në dy pjesë me një goditje të vetme, qofshin këta të pajisur edhe me helmeta hekuri; se mund të vriste një derr të egër vetëm me një goditje dhe të çante më dysh kokën e një bualli me goditjen tjetër.
Pas vdekjes së Skënderbeut Sulltan Mehmeti II udhëhoqi vetë rrethimin e katërt të Krujës ku i la banorët të vdisnin nga uria dhe mbasi u premtoi jetën në këmbim të dorëzimit, ndërsa dolën nga kështjella i vrau të gjithë meshkujt ndërsa gratë i mori skllave. Në përpjekje për të shpëtuar nga otomanët pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare dhe e udhëheqësve të saj u detyruan të largohen në Itali duke gjetur strehim në Mbretërinë e Napolit, ku formuan kolonitë arbëreshe që ekzistojnë edhe sot e kësaj dite në atë zonë. Turqit otomanë ishin aq të tmerruar nga Skënderbeu sa hapën varrin e tij dhe me eshtrat bënë hajmali, duke besuar se ato do tu jepnin trimëri në se i mbanin.

Të gjitha dokumentet arkivale të historisë europiane flasin se Skënderbeu kishte fituar reputacionin e një heroi të madh qysh në kohën e tij. Trashëgimia kryesore Skënderbeut ishte frymëzimi që ai dha për të gjithë ata që e panë tek ai një simbol të luftës së Krishterimit kundër Perandorisë Otomane. Gjatë periudhës së Rilindjes Gjergj Kstrioti Skenderbeu konsiderohej një simbol i kohezionit kombëtar dhe i afinitetit kulturor të Shqipërisë me Europën. Duke kuptuar plotësisht rëndësinë e këtij heroi të shqiptarëve, Gjermania Naziste formoi në vitin 1944 Divizionin e 21-të Malor Waffen SS Skënderbe, i përbërë nga 6,491 rekrutë shqiptarë dhe të Kosovës. Komandanti i forcave britanike në Kebek, James Wolfe ka thenë për Skënderbeun se ai ishte një komandant që “ua kalon të gjithë oficerëve, të lashtë dhe moderne, për sa i takon drejtimit të një ushtrie të vogël mbrojtëse”. Ndërsa në 27 tetor 2005, për nder të 600 vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit (Skenderbeut), Kongresi i Shteteve të Bashkuara nxorri një rezolutë ku ai cilësohet “burrë shteti, diplomat dhe gjeni ushtarak” duke theksuar “rolin e tij në shpëtimin e Europës Perëndimore nga pushtimi otoman”.

Përkundër këtij vlerësimi që bota perëndimore i bën Heroit tonë Kombëtar duket se sot segmente të ndryshme të pushtetit politik, apo mediatik mundohen të minimizojnë dhe sfumojnë trashëgiminë e plotë të Skënderbeut duke e parë atë vetëm si një mbrojtës të kombit shqiptar dhe jo si një simbol shqiptar të Europës dhe Perëndimit. Fakti se sot në përvjetorin e vdekjes së tij, përveç se në Televizionin Shtetëror Shqiptar ku u dha një emision i përsëritur dhjetra herë më parë, në asnjë kanal tjetër televiziv në Shqipëri jo vetëm që nuk u bë asnjë emision por as nuk u përmend emri i Skenderbeut. Mos vallë ky shtet e ky popull vuan kaq shumë nga amnesia? Apo një erë e re po fryn drejt një vasaliteti të pështirosur ndaj sulltanatit të ri sa nuk guxojnë as të përkujtojnë ditën kur ky komb filloi të futet nën zgjedhën më të rëndë në historinë e tij?