Ja përsëri poezia jetëpërshkruese e të madhit Dritëro Agolli. Përëri këtu tek MekuliPress. Është ky poeti që të dehë e të bënë për vete, kurdoherë e në secilën gjendje shqiprtërore. Lexoje dhe kënaqu:

Nëse sëmundja vjen tek unë ,
Ju mos më shpini në spital,
Më merrni fshehur e pa zhurmë,
Më ngjitni lart diku në mal.
Atje dyshek e shtrat nuk dua
Dhe as çarçaf e as jorgan ,
Por tek një çezmë e tek një krua
Më shtroni dushk e jargavan.
Ma lidhni kokën me një kulpër ,
Ma njomni buzën në burim ,
Dhe kur të vijë andej një flutur
S’ka gjë se rri mbi ballin tim .
As infermier nuk dua pranë,
As nevrolog , as profesor,

Të kem përkrah një dash të bardhë,
Të kem përbri një cjap përçor.
Të m’i lëpijë faqet dashi ,
Të qajë cjapi laraman,
Ta ulë sqepin shpejt larashi,
Me mors të japë telegram.
Të presë plot trishtim fshatari
Në shkop mbështetur me mërzi,
Duke përtypur fije bari,
Duke këputur kullumbri .

Nga guvë e lisit të moshuar
Të derdhet bleta gjithë zgjim ,
Mbi trupin tim e turbulluar
Si lëmsh të sillet me tërbim .
Të ndalet udhëtari i mirë,
Të pijë heshtur një duhan ,
Të thotë: mjaft qëndrove shtrirë,
Për ty e gjora rrugë qan!
Dhe, ju betohem, po s’u ngrita
i madh, i bukur, plot shëndet ,
Dhe rrugës sime nga u nisa
T’i them: më prit se po vij shpejt.

Nga Dritëro Agolli