Misioni i KFOR-it në Kosovë mbetet i pandryshuar në përputhje me Rezolutën 1244 të KB dhe partneriteti midis Serbisë dhe NATO-s mbetet i qëndrueshëm dhe i besueshëm, thotë admirali Robert Burke, Komandant i Komandës së Forcës së Përbashkët Aleate të Napolit. Në një intervistë për portalin CFSP.rs përpara vizitës së tij të parë në Beograd, Sarajevë dhe KFOR, Burke thotë se NATO nuk ka plane për reduktim të misionit.

Ai thekson se një Kosovë e qëndrueshme ka rëndësi thelbësore për stabilitetin dhe sigurinë në rajon, i cili ka qenë përparësi e NATO-s për më shumë se dy dekada.

“Mandati i KB për misionin tonë paqeruajtës të KFOR – i cili rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të KB – mbetet i pandryshuar. Ne vazhdojmë të mbështesim mjedisin e sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, për të mirën e të gjithë njerëzve në Kosovë”.

Duke folur për bashkëpunimin me Serbinë, ai thotë se KFOR ka krijuar kanale të drejtpërdrejta të komunikimit me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Gjeneral Milan Mojsiloviç.

“Këto kanë qenë vërtet të vlefshme dhe ndihmojnë në sigurimin e mirëkuptimit të ndërsjellë. Siguria është një bashkëpunim, përpjekje ekipore, kështu që ne punojmë ngushtë me të gjithë partnerët e sigurisë”, shpjegon Burke.