Në redaksinë e MekuliPress është dërguar ky shkrim nga një intelektual shqiptar nga Kosova. Është e dhimbshme të theksohet se intelektuali (emri i njohur për redaksinë) lutë redaksinë që të mos i publikohet emri, sepse, si shkruan ai, “do e përjashtojnë nga vendi i punës pa asnjë paralajmërim.”

MekuliPress publikon artikullin duke respektuar dëshirën e autorit të shkrimit që të mbetet anonim.

Ja klithmat e shqiptarit intelektual në shekullin XXI:

Në vendin tim e vendin tënd, o vëlla, çdo gjë mbrapsht është mbjellë e mbrapsht po rritet o vëlla!

Do doja të kem zanin e madh e fuqinë e madhe që të thëras e godas ndërgjegjen e ndrysur e të ndryshkur të të gjithë vëllezërve e motrave të mia që të zgjohemi e ngrihemi nga llumi moral, kulturor njerëzor e kombëtar ku kemi ra, por nuk po e kam zanin e as fuqinë e veç po vajtoj me atë pak za e lot që më ka mbet pasi nuk po mundem të shpreh mllefin e zemërimin ndryshe, kundër kësaj katandisje në llum e jashtëqitje ku e kemi pru veten! – Hej, si të mos vajtoj o vëlla!

Shikoj të shkatrohet çdo e mirë që kemi pas si njerëz, si shoqëri e si komb dhe nuk mund ta ndal vet, e as ata që ndjejnë e mendojnë si unë, se shumica e infektume në imoralitet e çnjerëzi na ka hyp mbi qafë dhe nuk na lënë të ngrehim kryet e kurrizin drejtë!

Të gjithë, të gjithë ama bash të gjithë, o vëlla, mendojnë e shohin vetëm si ta vjedhin, ta mjelin e ta plaçkisin këtë vend e këtë shoqëri pa mendu kurrë se ky vend e kjo shoqëri është e tija e e jona!

Është ky vend që na lan paraardhësit tanë që e deshën dhe e mbrojtën me sakrifica të mëdha ndër shekuj e sot, sot ne e vjedhim, plaçkisim e shkatrojmë sepse lakmia na u ka ngjizë në gjak e në shpirt!
Lakmia për me pas atë që s’është e jona por e shoqërisë! Të gjithë kështu, o vëlla, vjedhin e plaçkisin të mirat shtetërore e shoqërore – të gjithë! Nga një ofiqar i thjeshtë ndërmarrjeje apo organizate publike deri te qeveritarët që thyejnë gojën, gjymtyrët, zemrën e karakterin vetëm me ardhë deri te një pozitë shoqërore, ku do të mund të ha e marrë kafshatën që si takon! Pozitën nga e cila mendon, shpreson dhe punon ditë e natë që të pasurohet duke e marrë padrejtësiht mallin e pasurinë që nuk i takon! Vjedhin e plackisin të gjithë o vëlla – bash të gjithë!

Vjedhë politikani, vjedhë advokati, vjedhë prokurori, vjedhë gjygjtari, vjedhë ekonomisti, vjedhë mjeku, vjedhë polici, vjedhë hoxha e vjedhë prifti, por sot – sot o vëlla u mbush kupa! Sot kur pamë e po shohim se vjedhë nga djersa e shoqërisë dhe jo nga çfarëdo shoqërie, por nga pjesa më e shkelur dhe më e shfrytzuar e shoqërisë – nga djersa e derdhur e punëtorit privat që punon në kushte të rënda e pa kontratë pune, pa sigurime shëndetsore e pensionale, pa shpërblim e dëmshpërblim adekuat për djersën e mundin e derdhur – nga ana e mësuesit tonë! Po vëlla po!

E vjedhë vëllau vëllanë në të gjithë vendin e në të gjitha fushat e jetës! Vëllau që punon në punë publike e vjedhë djersën e vëllaut që punon në punë private! Punëtori i mbrojtur nga shteti e shoqëria e vjedhë vëllaun e tijë që nuk e mbron askush! E shfrytëzon vëllau vëllanë si Fshatari Gomarin që e ngarkon të i bartë peshën e rëndë në rrugët më të pakalueshme! E sot ksaj pune të turpshme e të pandershme iu dha vula kur mësuesit që do duhej të ishin avangarda e zhvillimit tonë shoqëror si në moral ashtu edhe në edukatë dalin dhe kërkojnë e marrin të ardhura që nuk i kan hak dhe nuk i meritojnë!

Dalin e kërkojnë paga më të larta për punën që se bëjnë dhe edhe më keq edhe për punën e keqe që bëjnë kur gjoja punojnë se punën e tyre të keqe e të dëmshme për shoqërinë tonë më të re e ka pa dhe e ka kuptu sot krejt bota! E mu këta mësues pra – këtyre që u kemi dhanë në besë edukimin dhe mësimin e fëmijëve tanë për të i bërë njerëz të mirë, të ndershëm, punëtor e atdhetar për të nesërmen që ne e kemi pa dhe mendu ndryshe! Po pra, Në dorën e të cilëve kemi lanë fatin e fëmijëve tanë!

Mu këta qohen e plaqkisin buxhetin e varfër të shoqërisë e shtetit tonë duke kërku atë që nuk u takon! A nuk është turp kjo o vëlla? A nuk është turp, krim e mëkat që të marrin paga të mëdha në kurriz dhe nga djersa e njerëzve të varfër e të drejtë që mbajnë mbi supet e tyre mbushjen e buxhetit të këtijë shteti!

Këtijë shteti të ri e të varfër që sot i ka njëqindmijë nevoja e nuk mundet të i mbush e plotësoj sepse hajnat dhe plaqkitësit e të gjitha ngjyrave e kan rrjep dhe po e rrjepin deri në lëkurën e fundit të trupit! Po vëlla! Ky është krim! Krim i kryer nga vëllaun mbi vëllaun e tijë! Krim i kryer nga vëllau që punon në sektorin publik mbi vëllaun që punon në sektorin privat! Dhe ky krim si çdo krim nuk do të kaloj pa u paguar! Do ta paguajmë ne muratorët e mbrapshtë që po ndërtojmë shtet e shoqëri të mbrapshtë sot! Krimi është padrejtësi dhe padrejtësia është mëkat!

E sot këtu po bëjnë krim, padrejtësi e mëkat gjysma e familjes tonë shoqërore mbi gjysmën tjetër! Dhe ky krim, kjo padrejtësi e ky mëkat do të na bje mbi qafë sot e nesër e përgjithmonë! Do ta paguajmë shtrenjtë të gjithë! Në atë shtet ku edhe mësuesi e vjedhë dhe plaqkitë të ardhmen e nxënësve të vet , nuk ka zhvillim, mirësi, paqë e prosperitet – veç krizë, krim, luftë e fatalitet!

Të fala nga vëllau i dëshpëruar deri në vdekje!