Kandidatja për deputete nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla Schwarz, ka reaguar ashpër ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Reagimi erdhi në lidhje me votimin e mërgatës, ku sipas Gërvalla-Schwarz, KQZ-ja është kthyer në shkelësin më eklatant të kushtetutës duke iu pamundësuar me forma perfide qindra mijëra mërgimtarëve të japin votën dhe kontributin e tyre për ndryshimin.

“Kjo nuk është thjesht një shkelje administrative. Ky është një akt skandaloz i varësisë totale politike nga kapësit e shtetit”, shkroi Schwarz në Facebook, përcjell MekuliPress.com

Postimi i plotë në fb

E drejta e votës është e drejtë kushtetuese dhe jo lëmoshë e Vadete Dakës

Sot në mesnatë ka filluar afati për votimin me postë, pra votimin e mërgatës. 10 orë më vonë nuk janë publikuar ende as listat e votuesve dhe as fletëvotimet. Koha është edhe ashtu tepër e shkurtër dhe çdo vonesë e pafalshme.

KQZ-ja është kthyer në shkelësin më eklatant të kushtetutës duke iu pamundësuar me forma perfide qindra mijëra mërgimtarëve të japin votën dhe kontributin e tyre për ndryshimin. Kjo nuk është thjesht një shkelje administrative. Ky është një akt skandaloz i varësisë totale politike nga kapësit e shtetit.

Ja pse secili dhe secila duhet të dalë më 14 shkurt dhe të japë votën e tij. Ndryshimi po vjen pashmangshëm die po vjen fuqishëm. Nuk ka kush që e ndal, as KQZ-ja.