Konjufca ka thënë se nëse Kosova kushtëzohet për hyrjen në BE me zhvendosjen e ambasadës së Kosovës nga Jerusalemi, atëherë kjo do të rishqyrtohet.
Anëtari i kryesisë së LVV-së, Glauk Konjufca, ka folur në lidhje me vendosjen e Ambasadës së vendit në Jerusalem, pas arritjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit.

Sipas mediave në një deklaratë për shtyp, ai ka thënë se nëse Kosova kushtëzohet për hyrjen në BE me zhvendosjen e ambasadës së Kosovës nga Jerusalemi, atëherë kjo do të rishqyrtohet, pasi është e rëndësishme për vendin që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

“Ajo do të mbetet aty ku është, deri nëse eventualisht ne kushtëzohemi gjatë proceseve të ndryshme ndërkombëtarë që të mos jetë aty. Psh nëse Kosova kushtëzohet nga Bashkimi Evropian gjatë procesit integrimeve evropiane që hyrja jonë në BE të kushtëzsohet përmes ndryshimit të lokacioneve të ambasadës sonë, unë mendoj që kjo do të duhet të rishqyrtohej. Meqenëse është vitale për Kosovën dhe jetike që ne të bëhemi pjesë e BE-së. Po tashmë në Jerusalem ajo ka ndodh faktikisht, mirëpo unë konsideroj që nuk ka qenë politikë e mençur e MPJ-së dhe ish kryeministrit të paligjshëm Avdullah Hoti, që të zhvillojë politika të jashtme të cialt në njërën anë duket që i po i përmirësojnë marrrëdheniet me SHBA-të por është iluzive me qenë se në njërën anë faktikisht këtu ka qenë relacionin esencial me Serbine e jo me SHBA-të,”-ka thënë ai.

Po ashtu, ka shtuar se pikat më të veçanta në këtë marrëveshje do të shqyrtohen nga Qeveria Kurti, në kontekst të sovranitetit të Kosovës.

“Sa i përket çeshtjeve të tjera dhe pikave të veçanta në këtë marrëveshje, politikast e Qeverisë Kurit në raport me to do të jenë shqyrtimi dhe vendosja e tyre në kontekst të sovranitetit të Kosovës, nëse ndonjëera prej pikave e rrezikon dhe e shkel sovranitetin e Kosovës edhe në kuptimin e resurseve që janë të tonat dhe të Kosovës, e kam fjalën për Ujmanin, e cila ishte njëra ndër pikat më problematike. Ne nuk do të pranojmë që Ujmani të hedhet në tavolinë të negociatave me Serbinë”, shtoi Konjufca.

Njohja e Kosovës nga Izraeli erdhi si pjesë e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë që ishte ndërmjetësuar nga administrata e Donald Trump në shtator të vitit të kaluar. Marrëveshja përfshinte gjithashtu njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Izraelit si dhe zotimin që Kosova dhe Serbia t’i vendosin ambasadat e tyre në Jerusalem.