Nga Jak Simoni

Diplomacia e një shteti, krahas të tjerave ka të bëjë me vendosjen dhe mbajtjen e marrëdhënieve me shtetet tjera. Marrëdhëniet, jo vetëm shtetërore, por dhe ato njerëzore, sot më shumë se kurrë, janë tërësisht të ndikuara nga marrëdhëniet ekonomike. Lind pyetja: me kë i kemi mbajture dhe me kë po intensifikojmë këto marrëdhënie ekonomike, më shumë me lindjen apo me perëndimin? Them se Përgjigjja do të jetë: më lindjen, më shumë të të afërt dhe të mesme sesa më atë të largët. Dhe a do të ketë pasoja kjo për vendin tonë? Padyshim se po.

Ndonëse shkrimtari i shquar Ismail Kadare thoshte që të falësh nuk do të thotë të harrosh, shtetarët tanë të vjetër dhe të rinj nuk e mendojnë kështu. Për rreth pesë dekada të komunizmit kemi sharë Perëndimin, duke thënë se dhe barë do të hamë dhe rrugën e tyre nuk e marrim; sa hartime, që nga kl. III – IV, e deri doktorata, vetëm duke sharë në mënyrën e atëhershme perëndimin, janë vlerësuar Sh. Mirë. Tani bëjmë përsëri hartime deri punime shkencore duke thënë të kundërtat e atyre që kemi thënë atëherë, por veprojmë krejtësisht ndryshe, natyrisht nëpërmjet të zgjedhurve tanë në pushtet.

Në sy të Perëndimit nuk po bëjmë gjë tjetër, veçse po përforcojmë pabesueshmërinë që kanë tek ne (meqenëse se jemi të fundit krahasuar me vendet tjera në shumë parametra, ndonjë përgjegjësi do ta kemi, nuk na i kanë të gjitha fajet të tjerët). Konkretisht pasuritë tona, të cilat nuk kemi ditur dhe nuk dimë ti menaxhojmë vetë, po i menaxhojnë të tjerët; po me çfarë kriteresh? Minierat (e bashkë më e ta dhe jetën e minatorëve) e pasuritë hidrike kush i ka me koncesion? Tani portet dhe aeroportet kush po o i merr? Madje për sa i përket pasurive hidrike (duhet prodhuar energji për përdorim dhe shpërdorim) qenkemi të parët në Ballkan për projekte hidrocentralesh(e natyrshme të tjerët ruajnë natyrë e tyre, ndërsa tek ne, me ca përjashtime, ambientalizmi është një neologjizëm. Me gjithë këto, deri tani qëndrimi i vendeve të perëndimit nëpërmjet përfaqësuesve të tyre formalisht ishte përkrahës, por tani kanë filluar të na thonë: nga cila anë qëndroni? Duam të qëndrojmë në Evropë, por pasuritë tona do t’i menaxhojnë arabët; a thua e hanë evropianët këtë. Me evropianët miqësi, me tjetër kënd e tregti. Po harrohet se miqësia, në kundërshtim më atë që thoshte Seneka i lashtësisë, është kthyer në veshje të tregtisë.

Ndryshe po vepron Serbia, e cila, ndonëse në hartë koordinatat e gradojnë më në lindje dhe Rusia e tërheq po andej, po i jep koncesionet e saj Francës. Ne në Dubai, serbët në Paris. Mesa duket nuk jemi as në kushtet e gomarit të filozofit francez Buridani, i cili nuk dinte të zgjidhte ndërmjet dy barrëve me kashte të njëllojta. Ne jemi kthyer kryq e kemi zgjedhur të hamë nga lindja, pastaj kuptohet, më tepër nuk po them. Deri kur kështu.