3 misione në Mars po afrohen drejt objektivit të tyre, në shkurt 2021. Bëhet fjalë për Misionin e Emirateve në Mars, Tianwen – 1 i Kinës dhe Mars 2020 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Emiratet e Bashkuara Arabe, Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë nisur secila misione të ndara në Mars, në Korrik 2020 dhe të gjitha janë gati të mbërrijnë. Dy të parët, brenda pak ditësh nga njëri-tjetri.
Nga 3 misionet, ai i Amerikës, “Mars 2020”, është me përvojën dhe besimin më të madh, si dhe nga ana tjetër, misioni më inovativ. Ngarkesa përfshin helikopterin e parë marsian të Tokës, “Ingenuity”.
Ky do të jetë helikopteri i parë që do të provojë fluturimin në një planet tjetër. Sidoqoftë, misioni i Amerikës është i treti në radhë. I pari është ai i Emirateve të Bashkuara, i cili nisi një sondë të quajtur “Shpresa” në 20 korrik 2020, nga “Tanegashima Space Center” në Japoni.
“Shpresa” është misioni i parë arab ndërplanetar, i cili synon t’u sigurojë shkencëtarëve një pasqyrë të plotë të atmosferës marsiane. Dhe, ata premtojnë të ndajnë të dhënat. Më 9 shkurt 2021, “Shpresa” do të fillojë atë që quhet Futje në Orbitën e Marsit.
Misioni i dytë do të jetë “Tianwen – 1”, i cili u lancua në 23 korrik 2020, nga Qendra Hapësinore Wenchang, në provincën Hainan. “Tianwen – 1” pritet gjithashtu të hyjë në një orbitë marsiane gjatë javës së dytë të shkurtit.
Anija kozmike do të kryejë një operacion “frenimi” për të ngadalësuar shpejtësinë e saj në një pikë në të cilën mund të kapet nga graviteti i Marsit. Kina e sheh Tianwen-1 si një hap drejt misioneve të ardhshme që do të rikthejnë mostrat e shkëmbinjve dhe tokës nga Marsi në Tokë.
Nga ana tjetër, misioni i tretë, ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të zbresë më 18 shkurt, në një vend të quajtur “Krateri Jezero”.
Burimi origjinal: Deutsche Welle