Fushata e shpejtë e vaksinimit në Izrael e ka kthyer vendin në një nga studimet më të mëdha në botën reale, të vaksinës së Covid-19 të Pfizer dhe rezultatet janë premtuese. Grupet e moshuara dhe në rrezik, të parët të vaksinuar, kanë pasur rënie dramatike të sëmundjes.
Ndër grupet e para që kanë përfunduar të dy dozat e vaksinës së Pfizer, kishte një rënie me 53% të rasteve të reja, një rënie me 39% të shtrimit në spitale dhe 31% të sëmundjes së ashpër nga mesi i Janarit deri më 6 Shkurt, sipas Institutit të Shkencave Weizmann në Izrael.
Në të njëjtën periudhë, tek njerëzit nën moshën 60 vjeç, që morën më vonë vaksinat, rastet kanë rënë me 20% , por shtrimi në spitale dhe sëmundja e ashpër janë rritur me 15% dhe 29% respektivisht. Qendra mjekësore Sheba në Izrael, po e monitoron këtë tendencë në terren. “Shumica e popullsisë në moshë është vaksinuar. Njerëzit që shohim këtu janë shumica nën 60 vjeç”- tha Yael Haviv Yadid, infermiere tek qendra e emergjencës së Covid-19.
Ekspertët në Izrael kanë besim se vaksinat dhe jo karantina e tretë në Izrael, kanë ulur sëmundjen tek të moshuarit. Ata kanë studiuar qytete, grup mosha dhe masa të karantinës të ndryshme. Krahasimet treguan me bindje se efekti i rënies së infeksioneve është vaksinimi, sipas Eran Segal, shkencëtar i të dhënave tek instituti Weizmann. Fushata në Izrael po krijon një databazë që ofron të dhëna mbi efektshmërinë e vaksinave jashtë provave klinike të kontrolluara. Me 80% e të moshuarve që janë vaksinuar tërësisht apo pjesërisht, një panoramë më e qartë do të shfaqet në 2 javët e ardhshme, ndërkohë që ekipet analizojnë edhe efektshmërinë në popullsi të shënjestruara.
Klevis Llaha