Ish-shefi i shërbimeve sekrete maqedonase i është dorëzuar autoriteteve pas dyshimeve disaditore se ishte arratisur.
Sasho Mijalkov u paraqit të martën në Prokurorinë e Shkupit.
Ndaj tij ishte shpallur ditë më parë fletarresti ndërkombëtar, pasi prokuroria nuk e kishte gjetur në banesën e zakonshme ku pritej ta vendoste nën arrest shtëpiak.
“Nuk isha arratisur. Isha këtu por për shkak se ndjeja se kisha simptoma të Covid-19, u vetëizolova. Kur mësova çfarë po ndodh, vendosa të vij vetë në prokurori,” deklaroi Mijalkov.
Ish-shefi i shërbimeve sekrete dhe 11 ish-funksionarë qeverie e policie akuzohen për skandalin e përgjimeve të vitit 2016, që nën urdhrat e ish-kryeministrit Nikola Gruevski, spiunuan telefonat e mbi 20 mijë politikanëve, gjyqtarëve e gazetarëve.
Mijalkov është kushëriri i Gruevskit, që vetë është arratisur nga vendi për të njëjtat akuza duke marrë azil në Hugari.
“Mobilizimi dhe koordinimi i shpejtë i të gjitha institucioneve dhanë rezultat dhe eliminuan çdo mundësi të tijën për t’u larguar nga vendi. Nuk do të ketë kompromise për drejtësinë,” u shpreh kryeministri Zoran Zaev.
Ndërkohë opozita fajësoi qeverinë për incidentin, duke e quajtur situatën një cirk politik me shtetin dhe duke akuzuar kryetarin e saj për marrëveshje sekrete me Mijalkovin.
Kryeopozitari nga VMRO-DPMNE-ja, Hristian Mickoski, kërkoi dorëheqjen e Zaevit dhe zgjedhje të reja parlamentare.
“Populli e di mirë se çfarë po ndodh. Një mafie inkompente po udhëheq vendin, po luan me fatet tona. Ndaj t’i japim fund këtij regjimi dhe do ta rrëzojmë,” tha Mickoski.