Lëvizja Vetëvendosje kanë vendosur që sot ta ndryshojnë ligjin për zgjedhjet ku do t’i mundësohet diasporës të votojnë nëpër ambasada dhe konsullata, dhe pastaj menjëherë të shkohet me zgjedhjen e presidentes Osmani, dhe nëse kjo dështon, vendi do të dërgohet sërish në zgjedhje.

Me vendim të Kryesisë së Kuvendit është proceduar ndryshimi i këtij ligji, dhe menjëherë aktivizuar qeveria Kurti, e cila në procedurë të përshpejtuar do ta dërgojë këtë ligj në Kuvend, për miratim.

Vetëvendosje përmes shefes së grupit të tyre parlamentar Mimoza Kusari – Lila, ka njoftuar se pas miratimit të amendamentit të këtij ligji, gjatë ditës së sotme do të procedohet edhe me zgjedhjen e presidentes Osmani.

Ligji pritet që të ndryshohet sot, e nëse zgjedhja e presidentes Osmani dështon, atëherë vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në këtë rast, Vetëvendosje e ka vendosur opozitën nën presionin e dërgimit të serishëm në zgjedhje nacionale, me besimin se koalicioni Kurti-Osmani do të arrijë të marrë vota edhe më shumë se sa në zgjedhjet e 14 shkurtit, pasi pjesëmarrja e diasporës në zgjedhjet e reja do të ishte edhe më e madhe.