Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), të mërkurën, përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit R.B., për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Burime të “Betimi për Drejtësi” bëjnë të ditur se bëhet fjalë për kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

“Aktakuza është ngritur për shkak të dyshimit se i pandehuri R.B., në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar ka kryer veprën penale me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, si dhe i ka tejkaluar kompetencat e tij duke i shkaktuar dëm shtetasit R.R. dhe buxhetit të komunës”, thuhet në komunikatën e PSRK-së, sipas të cilës, me këto veprime Begaj ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.