Ambasadori gjerman Thomas Schieb, gjatë një vizite në Beograd ‘shokoi’ zyrtarët serbë duke deklaruar se bombardimi i Jugosllavisë në vitin 1999 ishte një çështje e diskutueshme por e nevojshme. Ai tha se reagimi ndodhi për të parandaluar një katastrofë humanitare dhe gjenocidin në Kosovë.

“Unë jam i vetëdijshëm se kjo është një çështje e diskutueshme dhe se nuk kishte asnjë vendim të Këshillit të Sigurimit të KB për fillimin e veprimeve ushtarake. Por duhet të merrej një vendim, qëllimi ishte të shmangej një katastrofë humanitare, për të shmangur gjenocidin”, tha ai.

Diplomati gjerman në Serbi tha se bombardimi ishte shumë i vështirë për Serbinë, por që nuk ndodhi shumë shpejt pasi përpara ngjarjes kishte pasur disa ndërhyrje që Serbia të ndalonte krimet e luftës në Kosovë.

‘’Problemi ishte gjetja e një zgjidhjeje për Kosovën, të gjitha mjetet diplomatike ishin përdorur më parë”, shtoi ambasadori gjerman.