Kryeministri i Kosovës dhe njëherësh kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me kandidatët për deputetë për Kuvendin e Shqipërisë, Boiken Abazi, Iliaz Shehu dhe Kreshnik Merxhani, ka zhvilluar një diskutim online me komunitetin shqiptar që jeton dhe punon në Itali.

Ai shprehet se gjatë tri dekadave diaspora ka kontribuar aktivisht në ekonominë e Shqipërisë dhe atë të Kosovës, por pavarësisht kësaj, ajo nuk ka pasur vëmendjen e merituar nga institucionet.

“Në këto tri dekada diaspora ka kontribuar aktivisht dhe masivisht në ekonominë e vendeve tona, madje ajo e ka ruajtur paqen sociale gjatë krizave ekonomike të vendeve tona, e megjithatë nuk ka pasur vëmendjen e merituar nga institucionet. Shqiptarët në Itali janë një faktor përcaktues për marrëdhëniet e dy vendeve”, shkruan Kurti.

Kreu i qeverisë së Kosovës thotë se ai personalisht, por edhe kandidatët e LVV-së në Shqipëri do të mbështesin dhe përkrahin diasporën.

Z. Kurti nënvizon se diaspora jonë është jetike dhe kontribuon në zhvillimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të kombit shqiptar.

“Si Qeveri e Kosovës bashkë me LVV në Kosovë dhe Shqipëri, angazhohemi së bashku që mërgata ta ketë përkrahjen që meriton, për të rritur edhe më tej kontributin e saj jetik për zhvillimin e kombit tonë. Për këtë arsye bashkë me Boikenin, Iliazin dhe Kreshnikun zhvilluam këtë takim për t’u njohur më mirë me nevojat e komunitetit tonë në Itali i cili përbëhet prej më shumë se gjysmë milioni personash. Shqiptarët e Italisë pretendojnë me të drejtë një rol më aktiv në politikë-bërje”, ka shkruar Kurti.

Po ashtu, kryeministri Albin Kurti, pohon se gjatë bisedës me shqiptarët që jetojnë në Itali, është vënë theksi edhe tek nevoja e hartimit të strategjive të përbashkëta, me qëllim parandalimin e ikjes së të rinjve.

“Ky qe një hap i rëndësishëm dhe gjithëpërfshirës, që dëshmon se si vullneti ndryshon rrethanat e që na sheh edhe njëherë të bashkuar përtej kufijve të imponuar. Me qeverinë e re në Prishtinë e me ngritjen e Lëvizjes në Shqipëri, këso takimesh do të shndërrohen në praktika të zakonshme për të afruar dhe mobilizuar edhe më tej bashkëkombësit tanë jashtë vendlindjes”, ka shkruar ai.