Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar në mëngjesin e sotëm me Sekretatin e Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg.

Pas këtij takimit kryeministri Kurti, përmes një postimi në profilin e tij në Twitter, ka treguar se çka është diskutuar.

Kurti ka treguar se ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO e bënë rajonin dhe Evropën më të sigurt.

“NATO është aleanca më e madhe e sigurisë që bota ka parë ndonjëherë. Unë theksova se prania e saj në Kosovë është e domosdoshme për ruajtjen e paqes dhe sigurimin e sigurisë dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO e bën rajonin dhe Evropën shumë më të sigurt”, ka shkruar Kurti.

Ndërsa, sekretari Stoltenberg, ka theksuar se në këtë takim ka kërkuar që sa më shpejt të fillojë dialogu Kosovë – Serbi, pasi që është mënyra e vetme për të arritur zgjidhje të qëndrueshme politike.

“Mirëprita Albin Kurtin për të diskutuar zhvillimet në Kosovë dhe rëndësinë e NATO-së për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. NATO e mbështet përpjekjet për të riaktivizuar bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit. Dialogu është mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme politike”, ka shkruar Stoltenberg në Twitter