Komisioni Evropian ka paraqitur ankesa të reja zyrtare kundër Apple për prishjen e konkurrencës në tregun e transmetimit të muzikës duke abuzuar me pozicionin e tij dominues për shkak të aplikacioneve të posaçme në App Store.

Antitrusti i BE kundërshton përdorimin e detyrueshëm të mekanizmit të blerjes brenda-aplikacioneve të Apple të vendosura për zhvilluesit e aplikacioneve dhe ngre shqetësim kufizimet që Apple u ka vendosur këtyre zhvilluesve, duke bërë të pamundur informimin e përdoruesve të iPhone dhe iPad për mundësitë alternative. BE e bëri një hetim të tillë pasi mori një ankesë nga Spotify.

Ndërkohë, Apple kundërshton.

“Spotify është bërë shërbimi më i madh në botë me abonim për muzikën dhe ne jemi të kënaqur me rolin që kemi luajtur në të. Edhe një herë, ata duan të gjitha avantazhet e App Store por mendojnë se nuk kanë pse të paguajnë asgjë për këtë”, përgjigjet Apple.

“Spotify – thuhet në deklaratë – nuk i paguan Apple asnjë komision në më shumë se 99% të abonentëve të saj, por paguan vetëm një komision prej 15% për abonentët e mbetur që blejnë përmes App Store. Në qendër të kësaj është kërkesa e Spotify që ajo të mund të të reklamojë oferta alternative në aplikacionin iOS, një praktikë që asnjë dyqan dixhital në botë nuk e lejon”.

Shqetësimet e Brukselit lidhen me dy rregulla që Apple u imponon rivalëve. Së pari, përdorimi i detyrueshëm i sistemit të tij të blerjes në aplikacion për shpërndarjen e përmbajtjes së paguar. Apple u vendos zhvilluesve një komision prej 30% për të gjitha abonimet përmes sistemit të saj. Dhe Komisioni ka zbuluar se këto shpenzime rëndojnë mbi abonentët, duke rritur çmimin e abonimeve. Rregulli i dytë është ai që kufizon aftësinë e zhvilluesve për të informuar përdoruesit për mundësitë alternative të blerjes.

“Duke vendosur rregulla të rrepta në App Store që dëmtojnë shërbimet konkurruese të transmetimit të muzikës, Apple privon përdoruesit nga zgjedhje më të lira dhe dëmton konkurrencën”, tha komisioneri për konkurrencën, Margrethe Vestager.