Organizata e Bashkëpunimit Islamik, e përbërë nga 57 vende anëtare, ka thirrur një takim urgjent të dielën, për të diskutuar lidhur me luftimet e ashpra që po zhvillohen mes Izraelit dhe Palestinës, në qytetin Gaza, të udhëhequr nga grupi islamik Hamasit.

Kjo është lëvizja e parë e shteteve të Lindjes së Mesme për të diskutuar rreth adresimit të këtij konflikti, i cili po shkakton vdekje të shumta në mesin e palestinezëve dhe izraelitëve.

Derisa Liga Arabe ka paraqitur pikëpamjen se palestinezët duhet të kenë shtetin e tyre të pavarur, Izraeli ka arritur marrëveshje njohjeje me disa vende anëtare të saj.

Ministri i Jashtëm palestinez, Riad Malki i cili administron enklava autonome në zonën e okupuar nga Izraeli, Bregu Perëndimor, i ka quajtur qyqare sulmet e Izraelit.

“Ne kemi nevojë t’i tregojmë Zotit se do të rezistojmë deri në ditën e fundit. Po përjetojmë okupim që një kohë të gjatë. Kjo është baza e problemit. Krimet po kryhen kundër palestinezëve, pa asnjë pasojë”, ka thënë Malki, autoriteti i të cilit nuk ka kontroll mbi Hamasin.

Edhe ministri i jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu është shprehur ngjashëm me Malkin.

“Izraeli është përgjegjës për eskalimin e situatës në Jerusalemin Lindor, Bregun Perëndimor dhe Gaza. Paralajmërimet tona për Izraelin javën e kaluar nuk janë marrë parasysh” është shprehur ai.

Edhe në Gadishullin Arabik dhe në Shtetet e Gjirit Persik, reagimet lidhur me situatën mes Izraelit dhe Palestinës kanë qenë të ndryshme.

Që kur kanë nisur sulmet ajrore mes Izraelit dhe Palestinës, para gjashtë ditësh, e deri më tani, qindra persona kanë vdekur e janë rrafshuar shumë ndërtesa.