Në vitin 2021, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, morën më në fund informacione të besueshme për aktet korruptive të Sali Berishës. Dhe sapo një gjë e tillë ndodhi, SHBA vepruan duke e shpallur atë non grata, një akt analog p.sh me heqjen e qytetarisë romake dikur.

Por nga erdhën këto informacione në një shtet që thuhet se ka 17 agjenci për shërbimet inteligjente? Këtë çështje duket se e ka zgjidhur Vizion Plus që i është drejtuar ambasadës amerikanë në Tiranë me dy pyetje:

A ka pasur ky vendim ndikim nga Qeveria e Shqipërisë? A ka lidhje ky vendim me procesin zgjedhor?

Përgjigja ka qenë:

Sekretari i Shtetit mori informacion të besueshëm në lidhje me përfshirjen e Berishës në korrupsion të rëndësishëm dhe përpjekjet për të ndërhyrë në proceset publike dhe përvetësimin e fondeve publike në Shqipëri.

Me këtë veprim, qeveria e Shteteve të Bashkuara po bën të qartë se ne nuk do të angazhohemi, dhe si rrjedhim, nuk do t’u japim kredibilitet dhe mbështetje, individëve të korruptuar si Berisha, një individ që Sekretari i Shtetit ka përcaktuar se ka kryer veprime korruptive në kurriz të popullit shqiptar

Mirëpo kjo përgjigje na kërkon të gjithëve që të bëhemi pak budallenj, në mos debilë për ta pranuar atë si logjike, sa kohë që Berisha ka 8 vjet që nuk kryen asnjë funksion publik. Përsërisim: vendimi i DASH është akt Sovran i një shteti tjetër, por ai gjykohet për rrjedhojat publike që gjeneron në Shqipëri, ku deri më tani SHBA prezantohet si kriteri moral përveçse si superfuqia që vendos rrjedhat politike të një vendi të tërë.

Në këtë kuadër pyetja më normale që të vjen ndërmend është fare e thjeshtë: pse tani ky informacion dhe pse tani ky publikim? Meqenëse na thuhet se demokracia është edhe procedurë, padyshim që procedura e ndjekur për shpalljen e kësaj të vërtete ka rëndësinë e vet jo të vogël. Përndryshe ne duhet të bindim veten që jemi ata indigjenët që shesin çdo gjë për ca pasqyra.