Përmes një statusi në faqen e tij në facebook, Boiken Abazi kandidati i pavarur i mbështetur nga Lëvizja VETËVENDOSJE! shprehet se:

“Zgjedhjet e brendshme në Partinë Demokratike, të mbajtura pikërisht në këtë kohë kur ende nuk është trajtuar krimi elektoral në zgjedhjet e 25 prillit, kanë si fituesin më të madh Partinë Socialiste. Këto zgjedhje, me ndihmën e mediave të kontrolluara nga Rama, hoqën gjithë vëmendjen nga krimi elektoral. Në vend që diskursi publik të kishte në epiqendër trajtimin e fakteve si ato që tregojnë pamjet filmike të bëra publike ku një numërues kryen krim elektoral të kapur nga kamerat e KQZ-së gjatë procesit të numërimit, dhe më tej duket se komunikon me telefon me Ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, në vend që t’i kërkohet llogari ministrit mbi lidhjen dhe komunikimin me këtë person që kryen krimin, në vend që t’i kërkohet ministrit transparencë për rastin, distancim dhe denoncim të rastit pranë organeve të drejtësisë, diskursin publik mediatik e kanë degdisur te mënyra se si propozohet të zgjidhen shefat e seksionit brenda PD-së nga kandidatët për kryetar partie. Pa dyshim, Rama është i vetmi fitues i madh i zgjedhjeve të brendshme në PD të mbajtura në këtë kohë.“

Kujtojmë se LVV në Shqipëri ka bërë disa ankesa pranë KAS-it, për vjedhjen e votës, vullnetit të qytetarëve, përmes vëzhgimit të kamerave gjatë proçesit të numërimit. Në pamjet që LVV ka publikuar duken që disa numërues janë duke vendosur x, mbi fletën e votimit me lehtësinë më të madhe.