Hapet ekspozita personale “Tired of Isolation?”

Ekspozita është virtuale dhe mund të vizitohet në: www.mikullovci.com/expo/
Me anë të ekspozites virtuale shprehi revoltën time lidhur me Izolimin e padrejt të vendit tonë 22 vitet e fundit me anë të regjimit të vizave.
Se sa është në realitet i vështirë izolimi, këtë e tregoi qartë Izolimi nga COVID- 19, i cili nuk la vend në botë pa prekur.
Pandemia e virusit Corona, futi botën në izolim, pamundësoi lëvizjen e lirë brenda vendit dhe ndaloi edhe lëvizjet jashtë vendit.

Popullata në Evropë, e lodhur pas një kohe të shkurtër nga masat të cilat ndalojnë disa të drejta elementare, tani lutet që kjo gjendje të kalojë sa më shpejtë.

Evropianët nuk e dinë se sa i lodhshëm është izolimi 22 vjeçar për popullatën e Kosovës, i cili mbetët i vetmi vend në këtë kontinent pa të drejtë lëvizjeje të lirë! … Ne jetojmë pothuajse si në një kamp përqendrimi në shekullin 21 nga i cili mund të dalësh vetëm me një leje të posaçme.
Kohëve të fundit shpesh bisedohet rreth liberalizimit të vizave për Kosovën, mirëpo jo rrallëherë edhe dëgjojmë mesazhe të shteteve të cilat janë kundër largimit të regjimit të vizave për vendin tonë, kështu, mendoj se tani është koha më e përshtatshme për publikimin e këtij projekti.
Projekti është përkrahur nga Komuna e Prishtinës / Drejtoria për Kulturë.