Kryeministri Edi Rama mbajti fjalimin e tij në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara të OKB-së.

“I detyrohem një falënderim Republikës së Turqisë që na dha dozat për të nisur vaksinimin. Po ashtu edhe Italisë, Greqisë, Letonisë, e të gjithë atyre që janë ofruar të na ndihmojnë. Pabarazia në qasjen për vaksina ka nxjerrë edhe njëherë e më shumë në pah përplasjen.

Duhet të qëndrojmë së bashku për të rezistuar ndaj nacionalizmave. Eksperienca e gjatë e OKB na ka mësuar se eksperienca kërkon bashkëpunimin e të gjithëve” – tha Rama që u ndal edhe te procesi i integrimit.

“Shqipëria eshtë gati. Ajo pret që BE të bëjë punën e saj. Integrimi është burim frymëzimi” – tha Rama që u bëri thirrje vendeve anëtare të njohin pavarësinë e Kosovës.

“Kjo Asamble e madhe nuk do të jetë e plotë pa një prej shteteve të rajonit tonë, Republikën e Kosovës. Më keni dëgjuar më shumë se njëherë këtu të bëj thirrje për njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Nuk është opsesion, por ftesë për të njohur realitetet e reja në zemër të Evropës, në Ballkanin Perëndimor ku një shtet i ri lindi me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.

Kjo punë duhet të përfundohet. Dua ta theksoj, ta përsëris thirrjen, sepse realiteti na ka treguar neve, kosovarëve, serbëve, të gjithë ballkanasve, se një Kosovë e pavarur, e sovrane, është një realitet që vazhdon prej 13 vitesh dhe ka sjellë shumë paqe në rajon, ka kontribuar që të shkëputemi nga e shkuara e hidhur. Është pjesë e së ardhmes së përbashkët të Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria mbështet si alternativë të vetme dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si e vetmja mundësi për të sjellë njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve. E them me bindje absolute, vetëm maturia, kurajoja dhe vizioni do ta lejojë më në fund Serbinë të heqë barrën e së shkuarës”, – tha kryeministri Rama”,