“Elaborati i Ivo Andriqit është një ndër projektet e shumta për zhdukjen, shpërnguljen e asmimilin e shqiptarëve, për përvetësimin e territorreve të tyre etnike, ndarjen e tyre në mes të fqinjëve si dhe për zhbërjen e  shtetit të tyre të cunguar.” – Ky projekt ka përmbajtje raciste (A. Stipçeviq, 1992) dhe mbështet gjenocidin mbi shqiptarët (S. Çekiq, 2009). Ai është punuar me përkushtim (S. Keçmezi-Basha, 2014), vetëdije të plotë, qëllime të qarta dhe ide largpamëse kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve.

 

“ELABORATI I IVO ANDRIQIT PËR SHQIPËRINË I VITIT 1939

(Përkthimi ad litteram)

I.

LUFTA BALLKANIKE DHE SHQIPËRIA

Dalja e ushtrisë serbe në Adriatik

Sipas aneksit të fshehtë të Marrëveshjes për Aleancën në mes të Bullgarisë dhe Serbisë, të datës 26 shkurt të vitit 1912, Serbisë i njihej e drejta në territoret e deriatëhershme turke në Veri dhe në Perëndim të malit të Sharrit. Lidhur me këtë dispozitë, duke synuar t’i siguronin vendit të tyre dalje në det, trupat serbe më 15 nëntor të vitit 1912, hynë në Lezhë dhe gradualisht pushtuan tërë Shqipërinë Veriore, deri në Tiranë e në Durrës. Në “Times” të Londrës më 25 nëntor [të vitit 1912, m.a.] u botua deklarata e Pashiqit që Serbia kërkon Durrësin me pjesën më të madhe të hinterlandit.

Krijimi i Shqipërisë autonome

Megjithatë Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 20 dhjetor të vitit 1912 mori vendim për krijimin e Shqipërisë autonome, duke i dhënë Serbisë vetëm të drejtën e daljes tregtare në detin Adriatik. Po kjo Konferencë, më 20 mars të vitit 1913 vendosi që Shkodra t’i dorëzohej Shqipërisë. Mali i Zi refuzoi ta pranonte vendimin e Fuqive të Mëdha; për këtë e mbështeti Serbia, e cila dërgoi trupat e veta për ta forcuar rrethimin e Shkodrës. Fuqitë e Mëdha vendosën (më 21 mars [të vitit 1913, m.a.]) të bënin demonstrimin detar, nga i cili u përmbajt vetëm Rusia. Kryqëzorët austro-hungarezë, anglezë, francezë, gjermanë dhe italianë, të grumbulluar afër Tivarit, i detyruan trupat serbe të tërhiqeshin nga pozicionet afër Shkodrës.

Bllokada e bregdetit malazes

Fuqitë e Mëdha shpallën më 10 prill [të vitit 1913, m.a.] bllokadën e brigjeve të Malit të Zi, por qeveria malazeze vazhdoi rrethimin e Shkodrës, e cila kapitulloi më 20 prill [të vitit 1913, m.a.]. Mbreti Nikolla, megjithatë, u detyrua të lëshonte pe dhe më 4 maj [të vitit 1913, m.a.] me një telegram që i dërgon sër Eduard Greit (sir Edward Gray), e dorëzon fatin e Shkodrës në duar të Fuqive të Mëdha. Pushtimi ndërkombëtar i Shkodrës zgjati prej 5 majit të vitit 1913 deri në fillim të Luftës Botërore.

II.

NDARJA E SFERAVE TË INTERESIT NË SHQIPËRI NDËRMJET

SERBISË E GREQISË

Edhe pse nën presionin e Fuqive të Mëdha, në radhë të parë të Austrisë, u detyrua të tërhiqet nga Adriatiku dhe Shqipëria Veriore, Serbia nuk pushon së humburi shpresën. Në deklaratën, e cila ishte shtesë e fshehtë e Marrëveshjes së aleancës mes Greqisë e Serbisë nga 19 maj i vitit 1913, u ndanë sferat e interesit mes Greqisë e Serbisë, në Shqipërinë e porsaformuar autonome. Territori që shtrihet në veri të grykës së lumit të Semanit në det, pastaj drejt rrjedhës së këtij lumi deri te Gryka e Devollit, pastaj përgjatë Devollit deri te Mali i Kamjes – bënte pjesë në sferën e ndikimit serb. Pjesa jugore e Shqipërisë, nga kjo vijë, bënte pjesë në sferën e ndikimit grek. Në rast trazirash në Shqipëri, dy shtetet do të merreshin vesh për qëndrimin që do të mbanin. Këto janë kërkesat maksimale që në një dokument të shkruar i kemi parashtruar ndaj Shqipërisë.

III.

PAKTI I LONDRËS DHE SHQIPËRIA

Pakti i Londrës është lidhur më 26 prill të vitit 1915 në mes: Francës, Britanisë së Madhe, Rusisë dhe Italisë dhe kishte dispozitat vijuese ndaj Shqipërisë:

  1. Në vërejtjen e nenit 5 është thënë: “Katër fuqitë aleate do të ndajnë tokat e poshtëshënuara të Adriatikut Kroacisë, Serbisë e Malit të Zi: […]. Në Adriatikun e poshtëm (në viset që u interesojnë Serbisë e Malit të Zi) tërë bregdetin, nga Kepi Planca deri te Lumi Drin, me portet e rëndësishme të Splitit, Dubrovnikut, Kotorrit, Tivarit, Ulqinit, Shëngjinit […]. Porti i Durrësit do t’i ndahet shtetit të pavarur mysliman, Shqipërisë”.
  2. Në nenin 6 thuhet: “Italia do ta marrë në zotërim të plotë Vlorën, ishullin Sazan, e përveç këtyre edhe një territor mjaft të gjërë të domosdoshëm për mbrojten e tyre, domethënë pjesën ndërmjet lumit të Vjosës në veri e në lindje, kurse në jug deri në Himarë”.
  3. Në nenin 7 thuhet: “Nëse do të vinte deri te formimi i një shteti të vogël autonom e neutral të Shqipërisë, Italia nuk do t’i kundërvihej dëshirës së Francës, të Britanisë së Madhe dhe të Rusisë që viset veriore dhe ato jugore të Shqipërisë të ndaheshin mes Malit të Zi, Serbisë e Greqisë”.

Italia do të fitonte të drejtën të udhëhiqte punët e jashtme të Shqipërisë”.

Që në vitin 1915 Fuqitë e Mëdha, pra, miratojnë parimin e ndarjes së Shqipërisë dhe pranojnë që në Shqipëri të kanë interesat e tyre Italia, Serbia e Greqia. Ndërsa këtyre dy vendeve ballkanike u njihet e drejta në korrigjimin e kufijve, Italisë i dorëzohet Vlora si dhe protektorati mbi Shqipërinë e cunguar.

IV.

SHQIPËRIA NË KONFERENCËN E PAQES

Pikëpamjet e fuqive të mëdha

Në Konferencën e Paqes fuqitë aleate (Franca, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës), propozuan më parë për Shqipërinë, në Veri e Lindje, ato kufij, që ishin përcaktuar në Konferencën e Londrës në vitin 1913; i njihnin sovranitetin e plotë Italisë mbi Vlorën dhe hinterlandin e nevojshëm dhe i jepnin Italisë mandatin për administrim të lirë të shtetit shqiptar nën kontrollin e Lidhjes së Kombeve (Memorandumi nga 9 dhjetori i vitit 1919).

Pikëpamja jonë

(Kundër mandatit të Italisë. Për Shqipërinë e pavarur. Argumentet për korrigjimin e kufijve dhe për marrjen e Shkodrës e të Shqipërisë Veriore).

Në përgjigjen tonë nga 8 janari i vitit 1920 ne e hodhëm poshtë propozimin, që Italisë t’i jepej mandati mbi Shqipërinë, duke theksuar se kjo do të ishte përsëritje e rastit të Bosnjës e Hercegovinës. “Kjo zgjidhje, thuhet në përgjigjen tonë, do të krijonte në favor të Italisë kufij ofensivë kundër shtetit tonë, i cili do të privohej nga mjetet për t’u mbrojtur. Kjo do të thoshte në njëfarë dore përparësi ofensive, kurse në anën tjetër varësi e përsosur strategjike”.

Ne kemi kërkuar, për shkaqe ekonomike dhe strategjike, që të bëhet korrigjimi i kufijve ndaj nesh (në rrjedhën e mesme të Drinit, në Bunë dhe në shikim [drejtim, m.a.] të fiseve Kelmendi e Kastrati), që i përcaktoi Konferenca e Londrës nga viti 1913. Përveç këtij korrigjimi, delegacioni ynë kishte deklaruar se zgjidhja më e mirë është, nëse Shqipëria bëhet shtet i pavarur në kufijtë e viti 1913, dhe me administrim autonom.

Në rast se kjo zgjidhje nuk do të pranohej, ose nëse pjesa Jugore e Shqipërisë do t’u jepej shteteve të tjera, delegacioni ynë kishte kërkuar për ne pjesën Veriore të Shqipërisë deri në Drin. “Shteti ynë ka të drejta të lashta në këto treva, thuhet në memorandumin tonë. Shkodra është kryeqyteti i dikurshëm i sundimtarëve serbë. Populli ynë ka derdhur lumenj gjaku për Shkodrën, sidomos në luftën e vitit 1913, i cili i ka kushtuar Serbisë disa mijëra ushtarë të saj, kurse Malit të Zi një të tretën e ushtrisë së tij. Për t’i kënaqur dëshirat e Fuqive të Mëdha, trupat serbe dhe malazeze zbrazën në vitin 1913 Shkodrën dhe Shqipërinë Veriore. Austria duke mobilizuar ushtrinë, kërcënoi me luftë. Shkodra mund t’i takonte Malit të Zi, po të pranonte ky i fundit t’ia lëshonte Llovqenin Austrisë, ose të ishte neutral. Por Mali i Zi refuzoi t’ia lëshonte Austrisë këtë pozicion të rëndësishëm strategjik”.

Lugina e Drinit me Shkodrën përbëjnë një tërësi gjeografike dhe ekonomike me Malin e Zi dhe trevat kufitare të Serbisë. Për Serbinë e Mesme dhe për Malin e Zi, Lugina e Drinit është e vetmja rrugë natyrore direkte dhe më e shkurtër për në Adriatik. Hekurudha e rëndësishme Danub – Adriatik duhet të kalojë nëpër Luginën e Drinit. Konferenca e Ambasadorëve në Londër e vitit 1913, ia ka njohur Serbisë këtë të drejtë të daljes në det”.

Shkodra është në lidhje edhe me lumin Buna, i cili i hap udhë natyrore tregtisë së Malit të Zi në det. Që nga Marrëveshja e Berlinit, Mali i Zi gëzonte të drejtën e lundrimit të lirë në Bunë. Liqeni i Shkodrës, në pjesën më të madhe i takon Malit të Zi. Për shkak të pakujdesisë së turqve, tokat më të mira të Malit të Zi edhe më tutje janë të përmbytura nga uji i Liqenit të Shkodrës. Për këtë shkak shtetit tonë i intereson në masën më të madhe rregullimi i Bunës dhe i Drinit, jo vetëm për shkak të lundrimit në Bunë, por edhe për shkak se në këtë mënyrë do të thaheshin 12 deri në 20.000 hektarë të tokës më pjellore dhe po aq hektarë do të bonifikoheshin. Dy të tretat e kësaj toke i takojnë Malit të Zi”.

Pikëpamjet italiane

(Sipas Memorandumit të 10 janarit 1920)

  1. Italia kërkon nga Lidhja e Kombeve mandatin që ta administrojë shtetin e pavarur shqiptar.
  2. Kufijtë shqiptarë në Veri e në Lindje do të jenë ata që janë caktuar në Konferencën e Londrës. Kufiri Jugor do të jetë objekt shqyrtimi.
  3. Qyteti i Vlorës do t’i jepet Italisë nën sovranitet të plotë, bashkë me hinterlandin e nevojshëm për mbrojtjen e saj dhe zhvillimin ekonomik.

Aleatët pranojnë që Shkodra dhe Shqipëria e Veriut t’i bashkohen Jugosllavisë

  Duke propozuar një zgjidhje të përgjithshme të çështjes së Adriatikut, Klemanso, në cilësinë e kryetarit të Konferencës së Paqes, në lidhje me lëshimin e Rijekës Italisë, deklaroi si vijon: “pra sipas kësaj shteti i S. H. S. [Serbëve, Kroatëve e Sllovenëve, m.a.] do të ngrihet në kulmin e fuqisë së vet, pasi të ketë në zotërim Shkodrën, Drinin dhe Shëngjinin”.

Niti kishte pranuar këtë, me kusht që Italia ta mbante Vlorën dhe ta fitonte mandatin mbi Shqipërinë.

Përgjigjja jonë e fundit Konferencës së Paqes 

Në përgjigjen tonë të fundit Konferencës së Paqes (më 14 janar të vitit 1920), ne edhe më tutje kemi qëndruar në pikëpamjen, se zgjidhja më e mirë do të ishte që administrimi i Shqipërisë në kufijtë e caktuar më 1913 t’i besohej qeverisë autonome lokale, pa kompetenca të cilësdo fuqi të huaj. Nëse kjo zgjidhje nuk pranohet, por vendoset që pjesë të territorit shqiptar t’u jepen shteteve të tjera, delegacioni ynë do të kërkojë pjesën e Shqipërisë Veriore (duke bashkangjitur një hartë me kufirin e shënuar), për të cilën ishte premtuar regjim autonom.

Pikëpamja e të ndjerit Pashiq

Kur dukej e sigurt se aleatët do t’i lejonin Italisë të përforcohej në Shqipërinë e Mesme, kryetari i delegacionit tonë, Pashiqi, në fund të vitit 1919 njoftoi qeverinë në Beograd se kishte ardhur koha, që të shtrënguar nga rrethanat, ta ndryshojmë politikën tonë ndaj Shqipërisë. Në atë letër thuhej: “Pasi në Shqipëri nuk mund ta kthejmë gjendjen që ka qenë para evakuimit të ushtrisë sonë dhe të shtetit të parë të Esad Pashës, për shkak të depërtimit të Italisë dhe të përkrahjes së Italisë nga ana e fuqive; pasi Fuqitë duan ta zbatojnë Marrëveshjen e Londrës dhe s’do të ketë Shqipëri që ne kemi mbrojtur, aleatët do t’ia japin Italisë Vlorën me hinterlandin dhe protektoratin mbi një pjesë të Shqipërisë –  në këto rrethana, ne duhet të kërkojmë kufij të tjerë më të mirë ndaj territoreve shqiptare, të cilat do të bien nën protektoratin italian”.

“Minimumi që do të pranojmë nga aleatët është ky: kufiri përgjatë Drinit të Zi deri në grykëderdhejn e Drinit të Bardhë e nga aty Drinit të Madh (duhet të jetë të Bardhë, në origjinal është të Drinit të Madh, m.a) deri në det”.

“Maksimumin duhet të kërkojmë, në mënyrë që Italia të marrë sa më pak territore. Ky maksimum i pretendimeve tona do të ishte: Lumi i Matit deri në burimin e tij, e nga aty drejt nga lindja deri te Drini i Zi. Pra, Mati dhe Drini do të ishin kufijtë tanë me protektoratin italian”.

V. 
PUSHTIMI ITALIAN I SHQIPËRISË PAS LUFTËS DHE TËRHEQJA PËRFUNDIMTARE PAS MOSSUKSESIT TE VLORA

Pas përfundimit të luftës, në bazë të një vendimi ushtarak ndërmjet aleatëve, trupat italiane pushtuan tërë territorin e Shqipërisë, madje edhe atë pjesë veriore, të cilën ne, na e kishte njohur Pakti i Londrës. Vetëm Shkodra ishte nën pushtimin e përbashkët të trupave franceze dhe italiane.

Për shkak të qëndrimit armiqësor që Italia kishte asokohe ndaj shtetit SKS, ne e kemi konsideruar pushtim ushtarak italian të Shqipërisë si rrezikun më të madh për ekzistencën tonë. Ne territorin shqiptar është zhvilluar luftë e ashpër ndërmjet nesh dhe Italisë. Italianët atëherë inicuan çështjen malazeze e maqedonase, si dhe idenë e Shqipërinë së Madhe deri në Kaçanik. Ne kundër tyre zhvilluam herë aksione të fshehta, herë të hapura, duke bërë për vete me para, fisnikët (parinë, m.a.) shqiptare dhe duke u shërbyer me idenë e “Shqipërisë së pavarur” dhe “Ballkanin popujve të Ballkanit”.

Pakënaqësia e popullsisë shqiptare, të cilën e përkrahnim edhe ne, i detyroi italianët që në fillim të vitit 1920, t’i tërhiqnin trupat e tyre nga viset e brendshme të Shqipërisë dhe të përqëndroheshim vetëm rreth Vlorës, prej nga po ashtu në qershor të të të njëjtit vit do të detyrohen të tërhiqen, duke lidhur një marrëveshje me qeverinë e Tiranës për evakuimin e tyre nga tërë territori shqiptar, përveç ishullit të Sazanit.

Deri te evakuimi nga Shqipërisa erdhi për shkak të rezistencës së organizuar të shqiptarëve, por nuk duhet harruar se në atë kohë Italia ishte shumë e dobët politikisht dhe ushtarakisht. Edhe sot ka shqiptarë të cilët mendojnë se mund t’i përzënë italianët nga Shqipëria kur të dëshirojnë. Ky vetëbesim është fatal për ata, sepse nuk e shohin që Italia e sotme fashiste nuk është ajo që ishte në vitin 1920 nën qeveritë parlamentare të Nitit, të Gjolitit e të Faktës.

VI. 
SHQIPËRIA PARA KONFERENCËS SË AMBASADORËVE

Pas evakuimit të trupave italiane nga Shqipëria, gjendja në terren ishte pastruar (qetësuar, m.a.), Konferenca e Ambasadorëve mundi që në nëntor të vitit 1921 të merrte vendim për njohjen e Shqipërisë si shtet të pavarur e sovran. Në vend të premtimeve të mëparshme lidhur me Vlorën dhe me mandatin mbi Shqipërinë, Fuqitë e Mëdha ia njohën Italisë vetëm interesin e saj të posaçëm për ruajtjen e pavarësisë shqiptare. Shqipëria hyri në Lidhjen e Kombeve, me shpresë se kjo do ta siguronte edhe më tepër pavarësinë e saj.

Para Konferencës së Ambasadorëve, edhe një herë provuam, por pa sukses, që të realizonim korrigjimin e kufirit në drejtim të Shkodrës dhe të Drinit, duke theksuar për Shkodrën shkaqet historike, kurse për Drinin shkaqet ekonomike dhe ato të trafikut. Eksperti francez në Konferencë, Larosh, na ngushëlloi kështu: “Qeveria mbretërore ka gabuar, që nuk e ka miratuar, në atë kohë, propozimin e Francës për ndarjen e Shqipërisë. Pashiqi qe pajtuar me këtë, por qeveria e Beogradit e kishte refuzuar”. Që mos të lejonim italjanët në Vlorë, ne u detyruam të hiqnim dorë nga Shkodra dhe kufiri deri në Dri.

Meqenëse gjithmonë ne kemi përqafuar idenë e pandashmërisë së territorit shqiptar, ashtu siç ishte caktuar në vitin 1913, si dhe pavarësinë e Shqipërisë, do të mund të supozohej se ne do të na kënaqte kjo zgjidhje e Konferencës së Ambasadorëve. Megjithatë nuk është kështu. Vështirësitë në marrëdhëniet tona me Shqipërinë, si dhe në marrëdhëniet tona me Italinë për shkak të Shqipërisë, po rëndoheshin edhe më tutje, edhe përkundër shpalljes së Shqipërisë si shtet i pavarur dhe anëtar i Lidhjes së Kombeve.

Republika e Mirditës 

Ndërsa Konferenca e Ambasadorëve po zgjidhte çështjen e kufijve të Shqipërisë dhe organizimin e pavarësisë, ne, në gjysmën e vitit 1921 nënshkruam të parët (fisnikët, bajraktarët, m.a.) e Mirditës marrëveshjen e bashkëpunimit. Ishte paraparë formimi i shtetit të lirë të Mirditës, të cilin do ta mbronin forcat ushtarake të S.K.S. dhe interesat e të cilit në botën e jashtme do t’i përfaqësonte qeveria e Beogradit. Qeveria e Tiranës e shtypi këtë lëvizje, kurse ne qemë akuzuar dhe dënuar para Lidhjes së Kombeve.

VII. 
PAKTI I ROMËS, PASHIQI, MUSOLINI DHE SHQIPËRIA

Pakti i Romës i janarit të vitit 1924, me frymën e tij, ua imponoi edhe Romës edhe Beogradit respektimin e pavarësisë dhe parimin e mospërzierjes në punët e brendshme të Shqipërisë, si dhe informimin e ndërsjellë rreth ngjarjeve në Shqipëri. Kjo, megjithatë nuk e pengoi qeverinë italiane që të ndihmonte Fan Nolin në qershor të vitit 1924, që të organizonte kryengritjen kundër Ahmet Zogut, dhe as qeverinë tonë, që në dhjetor të të njëjtit vit t’i mundësonte Ahmet Zogut që të futej në Shqipëri nga territori ynë dhe të merrte pushtetin. As Roma, as Beogradi nuk mund t’u bënin ballë intrigave dhe kërkesave të “miqve” të shqiptarëve, të cilët kërkonin ndihmë për të ruajtur ose për të ardhur në pushtet dhe premtonin besnikëri e bashkëpunim, kurse në rastin e parë ndërronin orientimin.

VIII. 
PAKTI I TIRANËS DHE GJENDJA QË KRIJOI AI

I ndjeri Pashiq duke i udhëzuar përfaqësuesit tanë për punë në Shqipëri, u thoshte: Ne dëshirojmë Shqipëri të pavarur, por edhe Shqipëri të dobët dhe të trazuar (jostabile, m.a.). Koha dëshmoi se kjo nuk ishte e mundur të mbahej (realizohej, m.a.). Shqipëria e dobët dhe e trazuar ishte e detyruar të kërkonte ndihmë dhe mbrojtje atje ku mund të gjente. Regjimi që rrezikohej nga Italia, na drejtohej neve, ndërsa ai që ne dëshironim ta rrëzonim, kërkonte mbrojtje nga Italia.

Shqipëria e dobët dhe e trazuar (jostabile, m.a.), në vitin 1926 i kërkoi mbrojtje dhe ndihmë Italisë. Ahmet Zogu mori së pari garanci për regjimin e tij, dhe pastaj pranoi në vitin 1927 lidhjen e një Aleance Ushtarake për 20 vjet, e përfitoi qindra e qindra miliona lireta për punime botërore, dhe ekonomikisht dhe finaciarisht e vuri Shqipërinë në zgjedhën italiane, pranoi shumë instruktorë italianë. U krijua, kështu, një raport që i ngjante shumë atij protektorati, kundër të cilit kishim luftuar në Konferencën e Paqes.

Ajo që viteve të fundit më së shumti na rrezikonte prej Shqipërie, ishte organizimi ushtarak, fortifikimet ushtarake dhe aksionet irredentiste. Gjithandej e vërenim rrezikun nga aksionet italiane dhe “kufirin ofensiv”, kundër të cilit patëm luftuar para aleatëve në Paris, kur patëm propozuar që Italisë t’i jepej mandati në Shqipëri.

Në këtë vend është me interes të theksohet, që vetëm ne kishim protestuar dhe kishim luftuar kundër ndërhyrjes së Italisë në Shqipëri dhe në Ballkan. Asnjë vend tjetër i Ballkanit në kërë drejtim nuk na përkrahu. Dy fuqitë detare mesdhetare, Franca dhe Anglia, nuk kundërshtuan mbylljen e detit Adriatik. Për më tepër, Osten Çëmbërleni, në takimin me Musolinin në Livorno në vitin 1926, dha pëlqimin për Paktin e Tiranës. E të gjithë përfaqësuesit francezë në Tiranë vazhdimisht i jepnin këshilla mbretit Zog që të mos futej në konflikt me italianët.

IX. 
PAKTI I MIQËSISË ITALO-JUGOSLLAVE I 27 MARSIT TË VITIT 1937

Italia e Jugoslavia duke ndjekur politikë miqësie njëra ndaj tjetrës, mund të merren vesh për Shqipërinë në këtë formë: Italia ka interesin e vet jetësor në Vlorë, kjo pjesë e bregdetit shqiptar nuk bën të rrezikohet prej nesh; ne këtë interes duhet ta kuptojmë dhe ta respektojmë. Interesi jetësor i Jugosllavisë është të mos jetë e rrezikuar në kufirin në drejtim të Serbisë Jugore, as nga Kosova (e populluar me shqiptarë), as nga Shkodra dhe Mali i Zi. Për këtë, pa dyshim është llogaritur, kur në protokollin e fshehtë së bashku me Paktin e Miqësisë është parashikuar që të ndërpritet fortifikimi i mëtejmë në zonat e Librazhdit e të Milotit. Për sa i përket aksionit ekonomiko-financiar në Shqipëri, ne për këtë nuk kemi, dhe nuk dëshirojmë të investojmë mjete të veçanta. Italianët, pra, mbeten pa konkurrencë dhe pa vërejtje nga ana jonë, kuptohet me kusht që të mbeten në kufijtë e obligimit tjetër të fshehtë, të cilin para dy vjetësh e kanë marrë ndaj nesh që në pikëpamje politike, ekonomike dhe financiare nuk do të kërkojnë kurrfarë përfitimesh të posaçme, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë do ta kompromentonin pavarësinë e shtetit shqiptar.

Në këtë mënyrë Pakti i Miqësisë i datës 25 mars 1937 krijoi një “modus vivendi” tolerant ndërmjet nesh dhe Italisë në territorin shqiptar, për të cilin vite më parë kemi pasur aq shumë konflikte e dyshime (mosmarrëveshje, m.a).

Është çështje tjetër, që ky shqetësim, në Shqipëri, nëse do të mund të përballojë disa situata të rënda dhe të komplikuara në Detin Mesdhe ose në Ballkan.

X. 
RUAJTJA OSE NDRYSHIMI I STATUS-QUO-së

Pavarësia e Shqipërisë është zvogëluar, por nuk është shkatërruar 

Pavarësia e një shteti ndaj botës së jashtme gjithnjë është një koncept relativ. Duke pasur parasysh rrethanat, kjo pavarësi është më e plotë ose është më e zvogëluar. Për Shqipërinë, sot nuk mund të thuhet që politika e brendshme dhe e jashtme është e pavarur nga Italia. E megjithatë, ajo në bashkësinë ndërkombëtare konsiderohet si shtet i pavarur. E drejta ndërkombëtare e njeh bregdetin shqiptar si të pavarur e jo si italian, përkatësisht e konsideron atë nën sovranitetin e një shteti ballkanik. Italia ende nuk ka shkelur në Ballkan. Ajo ka një pjesë të sovranitetit të territorit të Zarës, por ky nuk i ofron mundësi të zgjerohet më tutje. Në Shqipëri, Italia ka ndikim, por nuk ka lirinë e aksionit si në territorin e saj. Shqiptarët megjithatë e kundërshtojnë ndërhyrjen e saj, i shkaktojnë vështirësi dhe e ngadalësojnë.

Ballkani – popujve të Ballkanit

Politika tradicionale e Serbisë është “Ballkani – popujve të Ballkanit”. Ky parim është përdorur në kohën e tij në luftë kundër Perandorisë Osmane dhe kundër Monarkisë Austro-Hungareze. Jugosllavia e përdori me sukses këtë kundër dispozitave të Paktit të Londrës, i cili e futi Italinë në Dalmaci dhe në Shqipëri. Në zbatimin e këtij parimi ne gjithmonë kemi parë garancinë më të mirë për paqe në Ballkan, për bashkëpunim ndërmjet popujve të Ballkani dhe për zhvillim normal të popujve ballkanas. Prania e një Fuqie të Madhe në Ballkan, është derë e hapur e intrigave të pushtimeve.

Zgjerimi i Italisë 

A është e mundur që Italia, duke u bërë zotëruese sovrane e Shqipërisë Jugore dhe të Mesme, të mbetet vetëm në atë brez të ngushtë bregdetar? Ne këtë nuk e kemi besuar para 20 vjetësh, kur Fuqitë e Mëdha ia ofruan Italisë Vlorën me hinterlandin. Ne këtë e kemi edhe më të vështirë ta besojmë sot, kur Italia tregon aq shumë dinamizëm e guxim në politikën e saj të jashtme.

Një precedent i rrezikshëm 

Marrja e një pjese të territorit të Ballkanit nga një Fuqi e Madhe joballkanike pa kurrfarë baze etnike, për tërë popujt e Ballkanit, pra edhe për ne, është një precedent i rrezikshëm. Të tjera Fuqi të Mëdha nga drejtime të tjera mund të paraqiten me pretendime të ngjashme. Rasti i veçantë i Italisë në Shqipëri për ne është i rrezikshëm, sepse me Paktin e Londrës, me të cilin për herë të parë Italisë iu njoh Shqipëria Jugore, po kësaj Italie i ishte njohur edhe Dalmacia Veriore. Precedenti për gjallërimin e dispozitave të Paktit të Londrës në një sektor të Ballkanit hap dyert edhe për gjallërimin e dispozitave të tjera.

Ndarja e Shqipërisë 

Me rastin e vlerësimit të tërë kësaj çështjeje, duhet të kemi parasysh që me çdo kusht duhet të shikojmë që t’i shmangemi konfliktit të hapur ose të fshehtë me Italinë. Gjithashtu duhet ta shmangim pushtimin e tërë Shqipërisë nga Italia, ngase kjo do të na rrezikonte në vendet më të ndjeshme (nevralgjike, m.a.) si në Bokë të Kotorrit e në Kosovë.

Duke pasur parasysh gjithë ç’thamë më lart, për ne ndarja e Shqipërisë mund të vinte në konsideratë vetëm si një e keqe e domosdoshme, të cilën  nuk mund ta evitojmë dhe si një dëm i madh nga i cili duhet të nxjerrim përfitime të atilla aq sa është e mundur, d.m.th. prej dy të këqijave ta zgjedhim më të voglën.

KOMPENSIMET TONA

Këto kompensime gjenden në materialin e përpunuar para 20 vjetësh, kur është shtruar çështja e ndarjes së Shqipërisë.

Maksimumi që kemi kërkuar asokohe ishte kufiri që do të shkonte përgjatë lumit të Matit dhe Drinit të Zi, i cili do të na jepte garanci strategjike të Malit të Zi dhe Kosovës. Gjithashtu do të duhej të siguronim luginat e Liqenit të Ohrit dhe Prespës, duke përfshirë edhe Pogradecin dhe fshatrat sllave të Malit të Thatë si dhe ato në mes të Prespës e Korçës.

Marrja e Shkodrës me këtë rast do të kishte rëndësi të madhe morale dhe ekonomike. Kjo do të na mundësonte që të bënim punime të mëdha hidroteknike dhe të përfitonim tokë pjellore për ushqimin e Malit të Zi. Shqipëria Veriore në kuadër të Jugosllavisë do të mundësonte krijimin e lidhjeve të reja të trafikut të Serbisë Veriore e Jugore me Adriatikun.

Me ndarjen e Shqipërisë do të zhdukej qendra tërheqëse për pakicën shqiptare të Kosovës, e cila në situatën e re lehtësisht do të asimilohej. Ne eventualisht do të fitonim 2-300.000 shqiptarë, por këta shumica janë katolikë, marrëdhëniet e të cilëve me shqiptarët myslimanë nuk kanë qenë asnjëherë të mira. Çështja e shpërnguljes së shqiptarëve myslimanë në Turqi do të bëhej gjithashtu në rrethana të reja, sepse nuk do të kishte kurrfarë aksionesh të forta (organizuara, m.a.), për pengimin e tij.