Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës organizoi festivalin XII Ndërkombëtar të Poezisë “Drini poetik” në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Në orën letrare “Lira magjike” poezitë e tyre i shpalosën rreth dyzet poetë.

Juria letrare vlerësoi me çmimin “Metafora II”, poezinë “Lypsari” të Syhejl Havollit, shkruan Mekulipress.com

L Y P S A R I

Lypsari në lagje ofshanë
Tek shtrëngon shpresën me duart e durimit

Përtej lagjes ashtu siç ka nisur
Ka aguar dita e ka zënë nata
Kafshata gacë i bëhet shpirtit

Kah ecën dielli – rrugë bën
Për të fshirë djersën e uratës

Kështu e ka çdo ditë
Bashkë me hapin e cunguar
Me duar të plasaritura
Me sy të mbyllur sheh mjerimin

O Shpirt
Në vend të mposhtjes dhe tundimit
Hatri yt u bëra lypsar
Krejt naiv dhe i pambrojtur

Më gjëmon në vesh
E dëgjoj shpesh këtë fjalë
Jam bërë prush për ty.