Kadrush Radogoshi

FILOZOFIA E NDRYSHIMIT SI BEKIM APO SI MALLKIM

“Uji që nuk lëviz nuk pihet”, thotë fjala e urtë popullore shqiptare dhe kuptimi i saj nuk është vetëm kuptimi i parë apo denotativ, por është edhe figurativ apo konotativ dhe shtrirja e tij është shumë e gjerë dhe arrin të mbulojë pothuajse çdo sferë të jetës. Lëvizja nënkupton ndryshimin e gjithçkaje në këtë botë, prandaj nënkupton ndryshimin e shoqërisë njerëzore dhe njeriut si individ. Ndryshimi, pra, është domosdoshmëri, është transformim, është evolucion apo revolucion. Tema e këtij shkrimi është lëvizja apo ndryshimi dhe si është kuptuar e kuptohet ai nga shoqëria njerëzore në përgjithësi dhe shoqëritë e veçanta qoftë në nivele kontinentale, regjionale, kombëtare apo krahinore, duke mos e harruar individin si pikënisje. Në këtë kontekst duhet të vëmë në pah se interesimi ynë është fokusimi se a pranohet ndryshimi si bekim apo si mallkim në shoqërinë shqiptare dhe te shqiptari si individ pjesëtar i saj.

Ekzistojnë mendime të ndryshme për rolin e individit dhe të shoqërisë në ndryshimin e njeriut dhe shoqërisë njerëzore gjatë historisë. Disa i japin përparësi rolit të individit në ndryshimin e vetes dhe shoqërisë, ndërsa të tjerët i japin përparësi rolit të shoqërisë në ndryshimin e vetvetes dhe individit. Mendojmë se çdo ndryshim i njeriut dhe shoqërisë fillon nga idea dhe ajo fillimisht lind si ide e individit për ndryshim dhe nëse ky individ ka ndikim në rrethin e tij shoqëror ideja e tij shumë më lehtë mund të bëhet ide e shoqërisë për domosdoshmërinë e ndryshimit të vetvetes. Historia njerëzore njeh shembuj të individëve krijues të idesë së ndryshimit dhe udhëheqës praktik për realizimin e saj. Zakonisht në këto raste ndryshimi ka ndodhur më shpejt dhe i padeformuar gjatë rrugës. Të kësaj kategorie zakonisht konsideroren komandantët e mëdhenj, të cilët jo vetëm i thyen gjendjet e statusquove apo të stagnimit shoqëror dhe shkaktuan ndryshime pa marrë parasysh se a i udhëhoqën vet gjerë në fund ato ndryshime apo i vazhduan pasardhësit e tyre. Heronjtë e ndryshimeve të mëdha në radhë të parë ishin mendje dhe shpirtëra të mëdhenj. Leka i Madh, djali i Filipit të Dytë të Maqedonisë antike dhe ilires Olimbi pati mësues as më shumë e as më pak se filozofin e madh të antikitetit Aristotelin. Fitoret e tij marramendëse mbi kundërshtarët e tij, në mesin e të cilëve ishte edhe Dariusi i Persisë, normalisht, që e shkundën botën antike, duke e ndryshuar raportin e forcave dhe të shumëçkafes në atë periodë të historisë njerëzore. Figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut me idenë e tij se edhe një popull i vogël në numër mund ta mund një perandori, kur është i vendosur për të jetuar i lirë dhe me luftën e tij njëzetepesëvjeçare ka qenë dhe është edhe pas 552 vjetësh heroi i ndryshimit shqiptar. Një shembull tjetër i heroit të ndryshimeve të mëdha padyshim është edhe Napoleon Bonaparta, fitoret e tij të njohura, por edhe humbjet e tij ndikuan drejtpërdrejt në revolucionin francez, i cili ndikoi në ndryshimin e madh të fytyrës së Evropës. Në kontekstin e këtyre dy figurave të mëdha të ndryshimit historik (Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Napoleon Bonaparta) shtrohet pyetja se cilat ishin idetë që udhëhoqën ndërmarrjet e tyre të ndryshimeve historike. Përgjigjja është e thjeshtë; te Skënderbeu padyshim që ndikuan idetë e Humanizmit evropian brenda të cilit kontribuan edhe shumë figura shkencore dhe artistike shqiptare, ndërsa te Napoleon Bonaparta idetë e Iluminizmit dhe Racionalizmit francez. Figura e fundit historike e ndryshimit të madh në botën shqiptare është padyshim Adem Jashari, i cili solli ndryshimin e madh në Kosovë nga të qenët koloni e Sërbisë në shtetin e pavarur të Kosovës. Figura emblematike e Adem Jasharit, e cila brenda simbolikës së vet përfshin të gjithë heronjtë dhe dëshmoret (të gjithë Jasharajt, Fehmi e Xhevë Lladrovcin, Bekim Berishën e Bedri Shalën, Elton Zherkën e Përmet Vulën, Yll Morinën e Ilir Sobën, Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahiun e Edmond Hoxhën e shumë e shumë të tjerë), ka ndikuar edhe në zgjimin e kombit shqiptar nga letargjia në të cilën kishte rënë, duke u shndërruar në figurën më integruese të faktorit shqiptar në historinë tonë më të re.Ndryshimet që sollën apo nxitën këto figura historike nga shumica e studiuesve të fushave të ndryshme konsiderohen pozitive, por ekziston edhe pala tjetër, që mendon ndryshe apo të kundërtën. Pra këto figura varësisht nga këndvështrimi mund edhe të vlerësohen. Megjithatë argumentet për vlerësimin pozitiv të ndryshimeve të tyre janë shumë më të forta dhe më bindëse.
Nga historia e qytetërimit evropian mund të na shërbejnë si shembuj i ndryshimit edhe dy figura të njohura të Reformacionit katolik: Erazmo i Roterdamit dhe Martin Luteri. Reformacioni shkaktoi ndryshim të madh në Evropën mesjetare sepse decentralizoi kishën katolike dhe e futi gjuhën e popujve në liturgji duke e mënjanuar latinishten si gjuhë zyrtare. Shtrohet pyetja se a ishte ndryshim pozitiv apo negativ reformacioni katolik në Evropë? Përgjigjja nuk është shumë e thjeshtë. Erazmo i Roterdamit ishte intelektuali më i njohur i katolicizmit evropian në atë kohë. Ai me një numër të madh veprash të tij e krijoi idenë e madhë të reformacionit, por pavendosmëria e tij për ta udhëhequr ndryshimin praktik në terren, bëri që zbatimin e ideve të tij për Reformacionin ta udhëheq një prift i thjeshtë dhe gjysmë i shkolluar siç ishte Martin Luteri, i cili bëri gabime të mëdha gjatë rrugës. E shikuar nga ky aspekt Reformacioni solli ndryshime gjithsesi pozitive, por shkaktoi edhe shumë dhunë dhe padrejtësi.
Gjatë historisë njerëzore kanë ndodhur edhe ndryshime tmerrsisht negative. Shembulli më markant i ndryshimeve negative është Adolf Hitleri dhe aleatët e tij, të cilët shkaktuan Luftën e Dytë Botërore, atë tragjedi të madhe të tërë njerëzimit. Nga shembujt e ndryshimeve gjatë historisë njerëzore kuptuam se ndryshimet kryesisht mund të trajtohen si bekim apo si mallkim.
Ndryshimin e tipit të Adem Jasharit me plot të drejtë mund ta konsiderojmë si formë e ndryshimit-bekim, kurse atë të Hitlerit e Sllobodan Millosheviqit e të tjerëve si këta, mund t’i quajmë si forma e ndryshimit-mallkim. Shoqëritë që ushqejnë dhe rrisin zbatues të ndryshimit negativ janë shoqëri, që duhet të shërohen. Gjersa Gjermania u shërua nga kanceri i vet nacist, Serbia ka mbetur ende e njëjtë dhe në çdo moment mund të pjellë zbatues të ndryshimit-mallkim, i cili do t’i rrezikonte popujt fqinj e sidomos shqiptarët.
Autorë të ndryshimeve-bekim janë edhe shumë intelektualë shkencëtarë e artistë, të cilët me kontributin e tyre e kanë ndryshuar pozitivisht jetën e popullit të tyre apo njerëzimit në përgjithësi. Paramendoni zbulimet e shumta të shkecëtarëve në fusha të ndryshme të shkencës se sa të bekuara kanë qenë e janë në ngritjen e cilësisë së jetës. Poashtu edhe kontributi i artistëve dhe të studiuesve të shkencave humanitare kanë bërë ndryshime të mëdha, të cilat s’ka se si të mos i takojnë tipit të ndryshimit-bekim. Megjithatë ndryshuesit gjenialë shpeshherë nuk u kuptuan dhe shpeshherë u demonizuan nga mbrojtësit e statusquosë në shoqëri apo në shkencë e art. Nuk mund të paramendohet formimi i Kombit shqiptar pa Rilindjen kombëtare, e cila e solli ndryshimin e bekuar nga një etni e pashkolluar dhe e nëpërkëmbur në një komb modern si të gjitha kombet tjera evropiane edhe pse ende nuk ka arritur ta zgjidh tërësisht çështjen e vet kombëtare.
Pos rrafshit historik termi “ndryshim” duhet të interpretohet edhe në përditëshmërinë apo në aktualitetin e shoqërisë shqiptare me theks të veçantë në Kosovë. Varësisht se si shikohet dhe vlerësohet termi “ndryshim” individual apo shoqëror, mund të përcaktohet niveli i zhvillimit të shoqërisë sonë dhe shëndeti i saj. Pos fjalës së urtë të vënë në fillimi të shkrimit, e cila është për “ndryshimin” pozitiv apo e cila e bekon atë, populli ynë ka krijuar edhe fjalë të urta me kuptime idiomatike, të cilat janë për ruajtjen e statusquos individuale dhe kolektive, pra janë kundër ndryshimit të individit sepse ndryshimi i tij mund të ndikojë në ndryshimin e përgjithshëm të shoqërisë. “Ruaju zjarrit, ujit dhe pushtetit” është një shprehje popullore shqiptare, e cila iu thuhet njerëzve, që janë të prirë për të ndërruar pushtetin e statusquosë, i cili frenon energjinë e individëve veç e veç dhe të shoqërisë në përgjithësi. Zjarri e uji përdoren si faktorë të rrezikshëm më shumë për të bindur dëgjuesit e shprehjes se të ndryshosh raportin tënd me pushtetin është rrezik i madh. Duke e shumëfishuar këtë forcë të pushtetit, e cila vështirë se mund të krahasohet me stuhitë e zjarrit apo të ujit. Në një shoqëri të tillë individët, të cilët e ndryshojnë veten në aspektin intelektual e shpirtëror dhe bëjnë përpjekje për ta ndryshuar pozitivisht shoqërinë, në vend se të vlerësohen dhe të përkrahen në misionin e tyre për ta ndërprerë amullinë (moçalin) e ujit ekzistencial dhe për ta bërë atë të lëvizë, mallkohen në të gjitha mënyrat dhe me të gjitha mjetet.
Politikanët e moçalit politik kosovar amerikanizmin e kanë shpallë mburojë për t’u mbrojtuar nga shigjetat e çdo forme të ndryshimit të stausquos vrasëse të pushtetit jolegjitim, por janë largë nga vlerat esenciale të amerikanizmit. Për ta dëshmuar se sa larg janë nga ato vlera këta maskarenj politikë mjafton të rikujtojmë disa prej postulateve të figurës më të madhe në historinë e shtetit amerikan Abraham Linkoln, i cili u zgjodh kryetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një kohë aq të rëndë, kur rrezikohej ekzistenca e tyre. Nuk di të ketë ndonjë model më domethënës të ndryshuesit pozitiv në historinë e shtetësisë amerikane se sa Presidenti Abraham Linkoln edhe pse ajo histori ka emra të mëdhenj liderësh siç janë Vashingtoni, Adamsi,Xhefersoni, Ruzvellti,Franklini, Uebsteri etj. Në librin e tij “Lincoln on Leadership” ( Linkolni në udhëheqje) me nëntitull “Executive Strategies “for Tough Times” ( Strategjitë ekzekutive në kohërat e vështira) autori Donald T. Phillips e krijon portretin e Lincolnit si udhëheqës i jashtëzakonshëm shteti në kohëra të vështira dhe të gjitha strategjitë e tij menagjuese i ka përbledhur në 15 kapituj, të cilët emërtohen në bazë të postulateve prej të cilave kanë mësuar e mësojnë jo vetëm liderët amerikanë e botërorë, por edhe menagjerët e korporatave të mëdha qofshin ato amerikane apo botërore: 1. Dil nga zyra dhe lëviz midis të trupave (bashkëpunëtorëve KR)! 2. Krijo aleanca të forta! 3. Bind më shumë e detyro më pak! 4.Ndershmëria dhe integriteti janë politikat më të mira. 5. Asnjëherë mos vepro me mëri e hakmarrje! 6.Ki kurajo ta menagjosh kriticizmin e padrejtë! 7. Bëhu mjeshtër i paradoksit! 8. Ushtroje dorën e fortë – bëhu i vendosur! 9. Udhëhiq duke qenë i udhëhequr! 10. Vendos qëllimet dhe orientohu drejt tyre! 11. Vazhdo të hulumtosh gjerë sa ta gjejsh “dhuratën” tënde! 12. Inkurajo inovacionin! 13. Përfeksionoje artin e të folurit publik! 14. Influenco te njerëzit përmes bisedimit dhe rrëfimeve! 15. Prediko një vizion dhe vazhdimisht riafirmoje atë!
Përfundimi më kuptimplotë i kësaj eseje do të ishte kjo pyetje drejtuar politikanëve kosovarë dhe shqiptarë në tërësi: A përputhet strategjia juaj udhëheqëse qoftë edhe me njërin prej postulateve të këtij babai të amerikanizmit? Përgjigjuni para se të shkoni në shportat e mbeturinave të historisë, por mos u mundoni të mashtroni si gjithmonë se nuk ju beson kush më, siç nuk i besoni as ju vetes suaj! (2020)