Enkelejd Joti është zgjedhur drejtori i ri i Radiotelevizionit Shqiptar. Pa as më të voglin dyshim është një zgjedhje që për konvenciencë etike mund ta quajmë konservatore. Një njeri besnik i Edi Ramës, më saktë i afërt i tij, që në historinë e gazetarisë nuk thotë asgjë, por në historinë e medias të kujton drejtimin e Top-Channel, i afishuar qartë si televizioni kryesor i partisë.

Më tej, pas pastrimit që ndodhi në këtë televizion, zotit Joti iu gjend një vend në thesin e QSUT, si drejtues i saj për disa vite. Siç hyri ashtu edhe doli zoti Drejtor, që është ndër ata njerëz që sa të jetë Edi Rama nëpër këmbët e Shqipërisë, do ketë një imunitet të pashpjegueshëm.

Joti rezlutonte në dosjen “Becchetti kundër Shqipërisë”, si person që përmendej në bisedat e Engjëll Agaçit. Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, i sugjeronte Becchettit që për problemet që kishte me qeverinë duhet të fliste me Enkelejd Jotin.

Joti pra del si dikush që luan një rol të paqartë për punët e këtij pushteti, një individ që merr pozicione drejtuese, publike, por të cilit publiku nuk ia ka dëgjuar ndonjëherë zërin.

Sot ky njeri katapultohet në drejtimin e RTSH-së, një institucion që I mbijetoi të gjitha dallgëve. Është zgjedhje konservatore sepse zotëria përfaqëson konvergjencën me vendimet Edi Ramës, jo divergjencën, siç e kërkon puna të jetë një media dhe gazetaria që aplikohet në të. Vetë hyrja e z. Joti në lojë, pas mënyrës sesi u godit Thoma Gëllçi, sqaron të paktën se kush e ka dorë RTSH-në dhe sesi një aset si RTSH-ja për të cilin paguajmë të gjithë, kalon sot në duart e dikujt që ka qenë në drejtim të një televizioni privat.

Në të njëjtën kohë flitet për deformimet e mëdha që tregu i medias ka në Shqipëri, ku padyshim dy TV-të kryesore kanë përgjegjësi për lobim të dëmshëm në çdo pikëpamje. Të kujtojmë këtu vetëm amendimin për dispozitat e pronësisë për të kuptuar se çfarë pritet të ndodhë me një RTSH që në të vërtetë duhet shkrirë dhe hedhur të mbijetojë në treg, meqenëse politika publike kjo qeveri realisht nuk ka. Ka politika personale të Edi Ramës, të miqve të tij, por jo publike.