Poezia “Dashuri e vështirë” nga autori Dritëro Agolli i kushtohet dashurisë së vërtetë, por edhe të vështirë. Asaj lloj dashurie që ka uljet (jemi ndarë shpesh; jemi sharë), por edhe ngritjet e saj (jemi dashuruar dhe drejt njëri tjetrit kemi ngarë). Pra bëhet fjala për një dashuri me të gjitha “fytyrat” e saj, jo vetëm romantike si në filma e në libra, por një dashuri e vështirë me të gjitha sfidat e përditshmërisë. Fundi i poezisë sigurisht lë një shije të veçantë. Autori shprehet: “Po të jem një Pitagorë, ti je teorema më e vështirë”. Këto vargje mbartin dhe kompleksitetin e figurës së femrës, e cila mbetet një dilemë për t’u zbuluar, sikundër edhe e ka cilësuar Frojdi në shprehjet e tij.

Dashuri e vështirë

Ti në kanape tani dremit
Ndofta gjumi ende s’të ka zënë,
Abazhuri mbi qerpikë ndrit
Libri nga gishtërinjtë të ka rënë.

Para teje ndal mendimi im:
Jemi dashuruar edhe sharë
Jemi ndarë shpesh në udhëtim,
Por drejt njeri-tjetrit kemi ngarë.

Dhoma hesht e rruga larg gjëmon
Ti sheh ëndrra kaltëroshe shumë
Unë, ndonëse pi dhe mogadon,
Mezi fle, se jam njeri pa gjumë.

Të kam pasur ëndërr çast e orë,
Ëndërr të trishtuar dhe të mirë
Po të jem vërtetë një Pitagorë
Ti je teorema më e vështirë…