Një variant i ri i COVID-19, B.1.1.529, i cili është përshkruar se ka një “profil të tmerrshëm të mutacionit spike”, është gjendur në një numër rastesh të koronavirusit në Afrikën e Jugut.

Shqetësimi për variantin e ri është numri i lartë i mutacioneve, të cilat mund ta ndihmojnë atë të shmangë mbrojtjen e trupit. Është pikërisht ky numër i lartë i mutacioneve, që besohet të jetë të paktën 32 për momentin, që po ngre shqetësime në lidhje me aftësinë e tij për të shmangur vaksinat dhe për t’u përhapur me lehtësi.

Shqetësimet për të kanë shkaktuar kufizime të reja të udhëtimit në Itali dhe Gjermani të Premten, ndërsa Brukseli po mendon një ndalim fluturimi në mbarë BE-në.

Komisioni Europian do të propozojë pezullimin e udhëtimit ajror nga Afrika Jugore mes shqetësimeve për variantin, tha të premten presidentja e KE Ursula Von der Leyen. Gjermania dhe Italia kanë njoftuar tashmë masa për të kufizuar udhëtimin ajror nga rajoni.

Roma ka ndaluar hyrjen në territorin e saj për këdo që ka qëndruar në Afrikën Jugore “gjatë 14 ditëve të fundit”, njoftoi Ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza, duke kërkuar “masë paraprake maksimale” përballë variantit të ri.

Vendet e prekura nga kjo masë janë Afrika e Jugut, Lesoto, Botsvana, Zimbabve, Mozambiku, Namibia dhe Eswatini, tha ministri.

Berlini tha të premten se do të kthej mbrapsht udhëtarët e huaj nga Afrika e Jugut.

Jashtë BE-së, Britania e Madhe dhe Izraeli kanë njoftuar tashmë kufizime të udhëtimit për rajonin e Afrikës Jugore mes shqetësimeve për variantin e ri.