Nga takimi i fundit i “Foltores” në Tropojë, Sali Berisha ka shfrytëzuar qytetin e tij të lindjes për të evokuar ndjenjat patriotike me të cilat është mëkuar që në fëmijëni. Në fjalimin e tij me nota nostalgjike ai ka kujtuar mësuesin e latinishtes në shkollë që i edukonte me ndjenjën se është nder për të vdekur për atdheun dhe për Kosovën.

Pikërisht në Tropojë, ai i ka kushtuar shumë vend Kosovës, kritikës së “Open Balkan”, faktit se Vuçiçi do pengihet me çdo kusht të izolojë Kosovën dhe faktit se në 8 vite të qeverisjes së Ramës, qeveria e Tiranës nuk ka arritur të sigurojë asnjë njohje për Prishtinën.

Po pse kjo kthesë e papritur tek thirrjet për të vdekur për atëdheun?

Ajo lidhet me një tendencë të re të Berishës, për ti dhënë PD-së që po kërkon të “rithemelojë” një fytyrë sovraniste dhe konservatore. Gjithnjë e më shumë përgjatë foltoreve lideri historik po flet për bazat e familjes, traditën ndaj atdheut dhe kundër praktikëve liberale të njohjes së çifteve LGBT dhe të adoptimit të fëmijëve prej tyre.

Në fakt, kjo piruetë e doktorit që pas shpalljes së tij “non grata”, nuk ka të bëjë aspak me rikthimin e tij tek ato vlera tek të cilat nuk është se e ka vënë theksin gjatë kohës që ka drejtuar realisht PD-në dhe shtetin.

Duket se më shumë sesa bindje ideologjike ajo është një zgjedhje pragmatike. Kthesa sa sovraniste, po aq edhe konservatore i shërben Berishës në betejën e tij të re. Së pari për të vërtetuar tezën e tij se ndëshkimi i ka ardhur nga strukturat paralele të shtetit amerikan të frymëzuara ideologjikisht dhe të financuara konkretisht nga Xhorxh Sorosi. Duke mbrojtur ketë tezë dhe suke krijuar përshtypjen se po e sulmojnë për botkuptimin e tij konservator Berisha ka dhe shpresën që të mbështetet ndërkombëtarisht nga kundërshtarët e paepur të multimiliarderit hebreo amerikan.

Ndërsa teza e dytë ajo e kthimit tek notat nacionaliste ka si qëllim përligjjen e një shteti dhe partie sovrane që ka forcën dhe guximin ti thojë jo ndërhyrjes së diplomatëve sorosistë në punët e brendëshme. Pra pikërisht kjo është baza për të akuzuar Bashën dhe idhtarët e tij që përligjin idenë se Berisha duhej përjashtuar nga grupi parlamentar, pasi nuk mund ti thuhet jo Amerikës.

Si përfundim, mund të thuhet se gjatë turit të “foltores”, më shumë se sa për të ndryshuar fizionominë ideologjike afatgjatë të PD-së, Berisha i ka përdorur Sovranizmin dhe Konservatorizmin, si mburoja në betejën imediate politike që ka hapur.