Pjesa më e madhe e hapsirës mediatike në Tiranë e ka komentuar vizitën e të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në 9 dhjetor në Tiranë, si një udhëtim për të mbështetur Bashën dhe goditur Berishën, duke ndërhyrë brenda betejës së PD-së. Po të shohësh pothuajse të gjithë titujt e shtypit, mediave online dhe titrat e TV, ato bëjnë një lidhje të drejtëpërdrejtë mes dy ngjarjeve duke e vënë theksin se diplomati amerikan përpos kryeministrit Rama do të takohet edhe me kryedemokratin dy ditë përpara se Berisha të organizojë kuvendin për shkarkimin e tij.

Kjo, hipotezë nuk përjashtohet po të shohësh se vendimi non grata për liderin historik të demokratëve është firmosur nga sekretari i shtetit Blinken dhe po të vëzhgosh qëndrimet që ka mbajtur ambasadorja Yuri Kim që prej kësaj vere, në luftën për pushtet brenda PD-së.

Por ka edhe nga ata që e shohin këtë si një vizitë rutinë.

Në një qëndrim të mbajtur gjatë një interviste në 25 shtator për Zërin e Amerikës, Gabriel Escobar nuk pati ndonjë qasje radikale (të tipit do hani bar) ndaj Berishës. Ai përsëriti se ai ishte ndëshkuar për korrupsion, nuk e lidhi këtë me periudhën parazgjedhore dhe së fundi pohoi se do të ketë non grata të tjera edhe nga radhët e qeverisë.

Së dyti, ai nuk po e kapërcen Atlantikun enkas për Shqipërinë. Ai e filloi javën nga Shkupi për të vëzhguar krizën politike në Maqedoninë e veriut dhe për të inkurajuar këtë vend për hapjen e negociatave me BE-në.

Nëse në Tiranë ai kryen një kthesë të fortë duke u bërë pjesë e lojës brenda garës në PD, ashtu sikurse kanë paralajmëruar një sërë mediash, kjo lëvizje do të tregonte disa gjëra.

E para, ky do të qe një tregues se ambasadorja Yuri Kim ka dështuar në përpjekjet e saj për ta bërë të përtypshëm për një pjesë të madhe të opozitës vendimin e sekretarit Blinken. Fuqizimi dhe mbështetja e Sali Berishës pas shpalljen non grata është edhe pasojë e rolit, shantazheve dhe përfshirjes së saj në mbrojte të qeverisë me çdo çmim. Ky rol që në 30 vite asnjë ambasador amerikan nuk e ka bërë kaq pa finesë dhe kaq brutalisht, ka lënë më shumë të kuptohet se goditja ndaj Berishës ka qenë një lëvizje për të dobësuar opozitën. Ndryshe do të kishte qenë nëse SHBA do kish shpallur vërtet non grata liderin historik të PD-së, por njëkohësisht do të përdorte të njëtin metër edhe të njëjtën masë ndaj qeverisë aktuale. Kjo asimetri politike ka bërë që Yuri Kim të jetë ambasadorja amerikane më shumë e sulmuar në këtë vend duke e zbehur rolin e saj si arbitre e së vërtetës.

E dyta nëse Escobar vjen ashtu sikurse thuhet për të konfirmuar goditjen ndaj Berishës, ky do të jetë një tregues që do të dëshmojë se nuk ka asnjë tërheqje apo lëshim në diplomacinë e SHBA kundrejt politikës së Tiranës. Pra një qëndrim i tillë do të shërbejë për të hedhur poshtë spekullimet se Amerika do të zbutet nëse Berisha tregon se ka fuqinë reale brenda partisë.

Por, pavarësisht nga këto, çfarëdo që të ndodhë duket se zbarkimi, në Tiranë, i të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, nuk do të ketë ndonjë efekt mbi kuvendin e PD-së në 11 dhjetor. Delegatët e tij në shumicë dërrmuese janë tubuar pro Berishës dhe kundër Bashës duke qenë të ndërgjegjshëm për shpatën e Demokletut që i qëndronte mbi krye të parit.

Pra, e vetmja gjë që misioni i Escobar, që ashtu siç po thuhet është kundër Berishës, të ketë mundësi për sukses, është që i dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, të sjellë me vete një dosje të fortë. Vetëm nëse ai vendos të sjellë fakte të reja lidhur me atë se pse Berisha u shpall non grata, mund të shkaktohet pështjellim. Përndryshe emisari amerikan do të ketë zero efekt mbi kuvendin e 11 dhjetorit.