“Premtoj të gaboj”, romani i Pedro Chagas Freitas, është një nga ato romanet e njohura si “limonadë”, me një histori sa të qetë, aq dhe tërheqëse kushtuar dashurisë së vërtetë. Gjatë lundrimit në internet më doli rastësisht përpara syve. Shkruhej se kishte arritur fillimisht rekord shitjesh në Portugali e më pas në të gjithë botën. Sigurisht në fillim isha skeptik, pasi kisha arritur në përfundimin se shumica e atyre romaneve që mbaheshin si bestseller, kishin histori klishe që nuk më tërhiqnin, por në këtë rast vendosa ta blej. U hasa me një histori të bukur dashurie, një dashurie të vërtetë, asaj dashurie që në fund të fundit, na bën të ndjehemi të gjallë dhe i jep kuptim jetës. Më ka pëlqyer shumë dhe e kam përfunduar në kohë rekord. Dua të ndaj me ju disa nga fragmentet që më kanë bërë më tepër përshtypje, me besimin se edhe juve do t’ju nxitet dëshira për ta lexuar.

“Premtoj të të dua deri në skaj, të të puth deri në skajin e fundit, të vrapoj kur do të mjaftonte vetëm ecja, të kërcej kur do të mjaftonte vetëm kërcimi. Premtoj të të përqafoj me të gjitha eshtrat, të të përshkoj mishin me urinë absolute dhe të dal në kërkim të ekstazës në të gjitha ditët, ta gjej lumturinë te ëmbëlsia absurde te e cila do të mësojmë të drejtohemi. Premtoj të dështoj. Pa ngurruar. Premtoj të jem njeri, i palogjikshëm, të them fjalën e gabuar, fjalinë e gabuar, gjithë tekstin e gabuar, të veproj pa u menduar, pse dreqin u dashka menduar kur të dua në mënyrë kaq të keqe? Premtoj të kuptoj, premtoj të dua, premtoj të besoj. Premtoj të këmbëngul, premtoj të luftoj, të zbuloj, të marr mësime e të jap mësime. Të gjitha këto, për të të thënë se premtoj të gaboj. Dhe Zoti të çliroftë nga detyrimi që të mos premtosh të njëjtën gjë”.

“Dashuria është kaq e brishtë, saqë arrin t’i bëjë ballë gjithçkaje”.

“Përpiqemi për gjithçka. Pa asnjë përjashtim. Shkojmë deri në fund të dhimbjes, nëse është e nevojshme, që të mos na dhembë më, shkojmë deri në fund të ëndrrës nëse duhet, që të heqim dorë nga ëndërrimi. Se vetëm kështu mësojmë të jetojmë”.

“Kur jap një përqafim, kam parasysh vetëm përqafimin dhe vetëm ty”.

“Po gabove përsëri, betohem që do të dua përgjithmonë. Dhe ajo gaboi”.

“Sikur ta dije që jo më kot ua kam zilinë gurëve të trotuarit, po ta them hapur, e vërteta është që ua kam zilinë kur shoh që hapat e tu shkelin në një rrugë ku nuk jam unë. Ku shkon vallë kur nuk të shoh? Sa të vështirë e kam ta duroj jetën tënde jashtë asaj që dua, mund të më quash posesiv, xheloz, si të duash më quaj, mjaft të më quash tëndin”.

“Vështro kush të do. Vështro kush të do shumë, kush të kërkon që të ndjehet i lumtur. Më të lumturit janë ata që shohin më mirë, ata që shohin më parë dhe më shpejt, sidomos ata që shohin nga vendi i duhur”.