Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po heziton të rreshtohet me botën perëndimore për të dënuar agresionin rus mbi Ukrainën.

Ai pranon se ka marrë kërkesë nga shtetet perëndimore për t’iu bashkuar atyre në vënien e sanksioneve ndaj Rusisë, por nuk iu ka dhënë një përgjigje të prerë.

Ka thënë se duhet pritur për këtë.

“Kam pasur një bisedë të gjatë me kryeministren (Ana Bërnabiq). Qeveria po vendos për këtë, por tani është në një mandat teknik. Për të mos kërkuar justifikime në teknologji, do të dalim me një përgjigje të plotë ndaj krizës në 48 orët e ardhshme. Nesër (e enjte) do të kem takim me përfaqësuesit e pesë shteteve më të zhvilluara të botës – Amerikës, Gjermanisë, Anglisë, Francës e Italisë dhe BE-së. Pas kësaj ose jo më vonë se 24 orë, do të dalim me qëndrimin tonë për këtë çështje”, ka thënë Vuçiqi nga Madridi ku po qëndron për vizitë, përcjell “B92”.

Rusia ka vendosur të njohë pavarësinë e dy rajoneve separatiste në lindje të Ukrainës si dhe ka vendosur që të dërgojë “trupa paqeruajtëse” në këto rajone.

Ky veprim i Moskës zyrtare është vlerësim si shkelje e të drejtës ndërkombëtare dhe e sovranitetit të Ukrainës, për çka BE-ja, SHBA, Anglia e shtete të tjera i kanë vënë sanksione Rusisë.

Burimi:koha.net