Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se koordinimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka qenë kurrë më i fortë.

“Secili veprim i institucioneve të Kosovës bëhet në koordinim të plotë më aleatët tanë. Koordinimi ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kurrë nuk ka qenë koordinim më i lartë, koordinimi është edhe për detajet më të vogla, për arsye se ky koordinim është në interes të vendit”.

“Që nga dita kur jemi zgjedhur, unë si presidente dhe institucionet tjera, në veçanti të politikës së jashtme, nuk ka ndodhur që të mos kemi pasur koordinim me ta”.

Osmani vlerëson se po të mos ishte ky koordinim kaq i fortë, Amerika do të fliste.

“Jo që s’ka arsye për brengosje, por një analizë më e thellë e dëshmon që nuk ka dallime dhe mungesë koordinimi me ShBA-në, pasi sikur të kishte, ShBA-ja do të fliste. E dimë në historinë tonë se kur ka pasur mungesë koordinimi, ata kanë folur”, tha Osmani.

Mes tjerash, Osmani tregoi edhe për bisedën telefonike që ka pasur me zëvendëspresidenten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris.

“Unë kam pasur bisedë me Kamala Harris, e cila më ka thirrur në bisedë telefonike të gjatë, ku kemi diskutuar për raportet tona, dialogun Kosovë-Serbi, afganët e tema të tjera. Dhe nëse e shihni, e kuptoni se nuk ka pasur biseda me presidentë të tjerë por vetëm me presidenten e Kosovës”.

“Prandaj, them se raportet Kosovë-ShBA nuk kanë qenë kurrë më të forta dhe më të koordinuara”, deklaroi Osmani.